Superliga, Skënderbeu i pakapshëm

21/12/2013 00:00

Skënderbeu mbylli vitin 2013 si kampion dimri, ndërkohë që Tirana nuk i ndahet fundit të klasifikimit. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa mundi me 10 lojtarë Lushnjën me rezultatin 1-0, duke u bërë dhe skuadra e parë në këtë sezon që del me 3 pikë nga “Roza Haxhiu”.

Goli i fitores për korcarët u shënua nga Ditmar Bici në minutën e parë. Dalja e Pejiç me të kuq dhe mbështetja për 90 minuta e tifozëve myzeqarë nuk i mjaftoi lushnjarëve të dilnin me të paktën 1 pikë nga kjo sfidë.

Kjo humbje i përkeqëson situatat në klasifikimin skuadrës së Banos, pasi ndodhet në vendin e 10 me 18 pikë.

Ndërkohë, Tirana vazhdon të shuajë shpresat e pakta të tifozëve të saj për mbijetesë. Edhe në sfidën e fundit të këtij viti, e cila shihej si ndeshja e kthesës, bardheblutë e drejtuar nga Magani nuk mundën të merrnin 3 pikë.

Ata barazuan pa gola me Teutën, një rezultat që nuk i shërben asnjërës prej tyre dhe më shumë Tiranës, që tashmë i ka varur shpresat te merkatoja e janarit.

Kukësi vuajti shumë, por në fund arriti të dalë me tre pikë nga sfida me Kastriotin. Goli i vetëm dhe i fitores, i shënuar nga Progni, u mjaftoi nënkampionëve të Shqipërisë të ngjiten në kuotën e 25 pikëve.

Viti 2013 për futbollin shqiptar do të mbyllet me sfidat e së dielës Flamurtari-Partizani, Besa-Bylis dhe Laçi-Vllaznia.

Top Channel