Sudani Jugor, vriten 3 paqeruajtës indianë

20/12/2013 00:00

Tre paqeruajtës indianë janë vrarë në një sulm mbi bazën e Kombeve të Bashkuara në Sudanin Jugor, ka bërë të ditur i dërguari i Indisë në OKB.

Kombet e Bashkuara thanë se agresorët, nga grupi etnik i dytë më i madh i vendit, hynë me forcë në bazën Akobo, në shtetin e shkatërruar nga konflikti Johnglei, gjatë së enjtes, duke përndjekur civilët nga një grup tjetër etnik rival, i cili kishte përfituar strehim atje.

Kontakti me bazën humbi pas sulmit të ndodhur. Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, thuhej se ai ishte “tmerruar” pas mësimit të sulmit.

“Ka të dhëna se disa civilë mund të jenë vrarë dhe plagosur gjatë sulmit, por këto informacione nuk janë verifikuar ende. Nëse rezultojnë të vërteta, përgjegjësit do të përgjigjen për krimet e tyre”, thuhej në deklaratën e Ban Ki-moon.

Ambasadori Asoke Mukerji tha se 3 paqeruajtësit ishin “shënjestruar dhe vrarë” gjatë një sulmi të të rinjve të etnisë Nuer. Përkeqësimi i shpejtë i dhunës etnike ka shtuar frikën për destabilizim në shtetin më të ri të botës.

Top Channel