SHBA, skandali i gjeneralit, hetim nga Pentagoni

20/12/2013 15:50

Gjenerali amerikan në ngarkim të raketave bërthamore me rreze të gjatë veprimi u shkarkua nga detyra për sjellje të pamoralshme gjatë një udhëtimi pune në Rusi gjatë muajit korrik, raportuan të premten mediat amerikane.

Dokumentat e reja të publikuara tregojnë se gjeneral-majori Micheal Carey lejoi veten të dehej dhe të kishte kontakt me gra të huaja “të dyshimta” gjatë udhëtimit.

Gjatë marrjes në pyetje, Carey nuk ishte në gjendje të mbante mend një sërë ngjarjesh ose dha përgjigje false.

Shkarkimi i gjeneralit ndodhi disa ditë pasi marina liroi nga detyra një admiral që kishte nën kontroll bazat nukleare jashtë vendit, pasi u provua pjesëmarrja e tij në një aktivitet të paligjshëm bixhozi.

Disa oficerë të rangjeve të tjera më të ulta të ushtrisë amerikane janë liruar së fundmi nga detyra për sjellje në kundërshtim me kodin e nderit dhe kodin e sjelljes të detyrës që ata kanë.

E gjithë kjo seri skandalesh, ka bërë që Pentagoni të nisë një hetim, mbi shtrirjen e këtyre rasteve në ushtri.

Top Channel