Lind Milani i ri…(ende) jo në fushë

20/12/2013 00:00

Ashtu sic ishte paralajmëruar, në strukturën drejtuese të Milanit ndryshimet ndodhën, që imponojnë një ekuilibër mes Barbara Berlusconi-t dhe Adriano Galliani-t.

Këshilli drejtues i klubit ka votuar ndryshimet përkatëse që ‘detyrojnë’ të bashkëpunojnë Barbara Berlusconi-n dhe Adriano Galliani, që të dy të zgjedhur zv.presidentë, por me kompetenca të ndryshme.

Ndërsa Galliani do të vazhdojë detyrën e tij edhe si Administrator i Deleguar, duke u përqendruar në anën sportive të skuadrës, Barbara do të kurojë imazhin dhe marketingun.

Marrëdhëniet mes të dyve nuk kanë qenë ndër më të mirat. Shpesh Barbara e ka sulmuar atë duke e fajësuar për gjendjen e skuadrës, por pavarësisht kësaj, Galliani premtoi bashkëpunim…e në fakt me hir a me pahir, bashkëpunimi nuk duhet të mungojë.

I pari që u ka kërkuar bashkëpunim ka qenë vetë presidenti Berlusconi, për të mos ndaluar më pas edhe tek detajet e kontratave përkatëse, ku disa pika i detyrojnë që të merren vesh në shit-blerjet e lojtarëve, por edhe në fusha të tjera të administrimit të skuadrës.

Në postin e zv.presidentit u konfirmua gjithashtu edhe Paolo Berlusconi dhe gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit, ndërsa në fund të mbledhjes, është vendosur edhe transferimi i zyrave qendrore të klubit, që braktis rrugën “Turati” nga 1 janari dhe zhvendoset në rrugën “Aldo Rossi”.

Top Channel