Ukrainë, Yanukovych: BE, ndikim i padëshiruar

19/12/2013 15:50

Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, deklaroi se kundërshton fuqimisht ndërhyrjen e politikanëve perëndimorë në krizën që ka përjetuar së fundmi vendi i tij.

Ai gjithashtu shtoi se Ukraina mund të pranojë pjesërisht një bashkim doganor që Rusia ka krijuar aktualisht me disa ish-Republika Sovjetike.

Deklarata e Yanukovych mbërriti në një moment në të cilën opozita është tejet e acaruar për vizitën e tij të fundit në Moskë, gjatë të cilës presidenti nënshkroi marrëveshjen për marrjen e një huaje madhore nga Rusia dhe për uljen e çmimit të gazit rus me një të tretat.

Nuk është e qartë se çfarë ka premtuar Kievi në këmbim.

Gjatë një konferencë për shtyp në Kiev, ditën e enjte, presidenti u pyet se çfarë mendon rreth vizitave në kampin e protestuesve pro-perëndimore prej disa politikanëve të huaj, përfshi senatorin amerikan John McCain, kryediplomaten europiane, Catherine Ashton apo ish-ministrin e Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle.

“Unë jam kategorisht kundër çdo personi apo lideri të huaj që vjen në këtë vend me dëshirën për të na mësuar neve si të jetojmë”, deklaroi Yanukovych.

“Gjëja më e rëndësishme në këtë krizë, ajo që duhet të kuptojnë të gjithë se kjo është një çështje e brendshme e Ukrainës dhe vendet e tjera nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në punët tona të brendshme”.

Deklarata e presidentit mbërrin në një moment në të cilin për të tretë javë në vazhdim, me mijëra protestues grumbullohen në mënyrë të përditshme në kryeqytetin Kiev për të protestuar kundër kursit pro-rus të qeverisë.

Fillimi i protestave u motivua nga refuzimi që qeveria i bëri një marrëveshje të tregtisë së lirë të propozuar nga Brukseli, një refuzim që u konsiderua gjerësisht në publik si i lidhur me presionin rus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA