Luftime të ashpra në Sudanin e Jugut

19/12/2013 00:00

Kryengritësit në Sudanin e Jugut kanë vendosur nën kontroll një qytet kyç nga pikëpamja strategjike, ndërsa luftimet vazhdojnë të ashpra që prej tentativës së grushtit të shtetit të regjistruar të dielën e fundit.

“Ushtarët tanë kanë humbur kontrollin mbi qytetin e Borit, përballë forcave të Riek Macharit”, deklaroi një zëdhënës i ushtrisë së rregullt sudanezojugore.

Më parë gjatë javës, presidenti Salva Kiir akuzoi ish-zëvendësin e tij, Machar, për udhëheqjen e këtij komploti, një akuzë e kundërshtuar nga ana e këtij të fundit.

Konflikti, i nisur nga kryeqyteti Juba i ka kushtuar jetën të paktën 500 personave dhe ka ngjallur frikën e një përshkallëzimi në të gjithë territorin e shtetit më të ri të botës.

Sudani i Jugut u formua në Korrik 2011, pas një referendumi në të cilin 98% e popullsisë votuan për ndarjen nga shteti mëmë i Sudanit.

Konflikti në shtetin e pasur me naftë vjen në një moment në të cilin disa vende të Afrikës Qendrore janë duke përjetuar një situatë të vështirë politike, midis të cilave edhe Republika e Afrikës Qendrore, ku më parë gjatë dhjetorit, Franca dërgoi trupa për të vënë në kontroll situatën anarkike që ekziston në vend prej më shumë se një viti.

Top Channel