Londër, bie çatia e Teatrit “Apollo”

19/12/2013 00:00

Një operacion shpëtimi ka nisur gjatë pasdites së të enjtes, pasi një pjesë e tavanit të Teatrit “Apollo” në qendër të Londrës u shemb gjatë një performance, duke zënë fillimisht njerëz brenda teatrit dhe më pas duke shkaktuar të plagosur, bëjnë të ditur zyrtarët.

Autoritetet iu përgjigjën një raportimi për shembje tavani rreth 20:15 me orën lokale, deklaroi policia përmes Twitter-it. Deri tani bëhet fjalë për 88 të plagosur, nga të cilët 7 persona në gjendje të rëndë.

Brenda një ore, një zëdhënës i departamentit të zjarrfikësve tha se të gjithë personat e plagosur, afro 88 vetë, kanë dalë nga ndërtesa, që kishte për momentin rreth 700 dashamirës të shfaqjeve teatrale.

Teatri gjendet pranë cirkut “Picadilly”, në qendër të qytetit, në distriktin Soho, që zakonisht është i tejmbushur me turistë, njerëz që adhurojnë shopping-un dhe ata që preferojnë të hanin darkën jashtë.

Ekipet e shpëtimit arritën me barrela, ndërkohë që policia rrethoi shumë shpejt zonën. Vetëm pak minuta më pas, disa prej tyre dolën nga teatri, barrelat ishin të tejmbushura, ndërsa të tjerë njerëz ndihmuan dikë të dilte nga ndërtesa.

Një 29-vjeçare, frekuentuese e teatrit, e njohur me emrin Hannah, tha për CNN se ishte dëshmitare e ngjarjes, e cila ndodhi rreth 40 minuta pasi kishte nisur shfaqja, nga radha E deri në pjesën e përparme.

Ajo tha se ngjarja nisi me ngadalësi, e më pas përshpejtoi duke rrëzuar suva dhe dru mbi turmën e të pranishmëve në shfaqje.

Ajo kishte dëgjuar dikë të thoshte se një grua kishte thyer këmbën dhe më pas disa njerëz të gërvishtur e të plagosur.

Por, ajo shtoi se njerëzit kishin respektuar radhën për të dalë nga ndërtesa, pa shkaktuar tensione dhe rrëmuja.

Disa prej tyre u strehuan fillimisht në Teatrin “Lyric”, që ndodhej ngjitur me teatrin ku ndodhi ngjarja. Ndërsa dëshmitarja fliste për CNN, dhjetra mjete policia, zjarrfikësish dhe ambulancash mbushën rrugën përpara teatrit.

Top Channel