Sochi 2014, Obama dërgon ikonën e gay-ve

18/12/2013 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, është i fundit momentalisht, i cili ka vendosur të “bojkotojë” Lojërat Dimërore të Sochi-t në Rusi, por duke e bërë në një mënyrë disi më diplomatike: vendos të përfaqësohet në ceremoninë e hapjes nga Billie Jean King, kampione e tenisit dhe ikonë e lëvizjes së homoseksualëve.

Rusia është vënë prej kohësh në shënjestër të akuzave për politikat e saj kundër homoseksualizmit.

Përveç presidentit Obama, një mungesë e zyrtarizuar, në delegacionin e SHBA-së nuk do të jetë asnjë eksponent i lartë i qeverisë së tij.

Të hënën, edhe presidenti Francois Hollande konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në Lojrat Olimpike Dimërore, dhe ashtu si Obama, “ndalon” edhe çdo zyrtar tjetër të lartë francez për të qenë pjesëmarrës në ceremoninë e hapjes, në Sochi të Rusisë. Lajmi u komunikua ditën e hënë nga ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius.

Javën e kaluar, presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, konfirmoi gjithashtu mospjesëmarrjen e tij në Lojrat, që do të zhvillohen në resortin alpin pranë Detit të Zi.

Aktivistët i kanë kërkuar drejtuesve të shteteve, që të bojkotojnë Lojrat, për shkak të abuzimeve me të drejtat e njeriut në Rusi, midis të cilave renditet edhe propaganda e rrezikshme kundër homoseksualëve.

Megjithatë, në intervistën për radion “Europe 1”, Fabius thjesht u mjaftua duke thënë se “zyrtarët francezë nuk kanë në plan të udhëtojnë në Rusi”, duke mos përcaktuar asnjë shkak si arsye të këtij bojkoti.

Top Channel