Skandali i basteve, Tare: Nuk e njoh Bazzanin

18/12/2013 00:00

Përveç Gennaro Gattusos, mes të dyshuarve për skandalin e ri të basteve në futbollin italian është edhe Christian Brocchi, ish-lojtar i Lazios, ku drejtor sportiv është Igli Tare.

Prokurorët po mundohen të thellojnë lidhjen e Brocchit me Francesco Bazzanin, i cili njihet si ndërmjetës për trukimin e ndeshjeve, e këtu del edhe emri i Tares.

Bazzani i ka kërkuar Brocchit një takim në qendrën stërvitore të lacialëve, por lojtari i ka thënë që duhej autorizimi i Tares për këtë. Gjatë ndeshjes Lazio-Bologna (6-0, 5 maj 2013) Bazzani ka qenë në stadium dhe ka komunikuar me një zonjë të ulur pranë Tares duke i kërkuar t’i thotë diçka drejtorit sportiv të bardhekaltërve. Kështu, për hetuesit ka një lidhje mes Tares dhe Bazzanit.

Në mbrëmjen e të martës, në një komunikatë zyrtare, ish-futbollisti i kombëtares shqiptare ka theksuar se “nuk ka asnjë marrëdhënie sportive, personale apo të ndonjë lloji tjetër me zotin Francesco Bazzani”. Sipas tij, kjo provohet nga fakti që Bazzani nuk i ka numrin e telefonit dhe se për ta kontaktuar flet me persona të tjerë.

Top Channel