Rusi, amnisti për “Greenpeace”

18/12/2013 21:30

Ligjvënësit rusë aprovuan një amnisti, nga e cila pritet të përfitojnë disa prej të burgosurve më mediatikë të vendit, midis të cilave aktivistët e “Greenpeace” dhe këngëtaret e grupit “Pussy Riot”.

Duma ruse aprovoi në mënyrë unanime ligjin, i cili pritet të hyjë në fuqi brenda pak ditësh, pasi të publikohet në fletoren zyrtare.

Nga amnistia e gjerë pritet të përfitojnë 20 mijë të burgosur të kategorive të ndryshme, midis të cilëve përfshihen minorenët, invalidët, veteranët, gratë shtatzanë dhe të burgosurat nëna.

Si rrjedhojë e amnistisë, çështja në vazhdim ndaj 30 aktivistëve të “Greenpeace” pritet të pushojë.

Ata u akuzuan për huliganizëm dhe rrezikonin derinë shtatë vjet heqje lirie pasi tentuan të ndalonin punën në një platformë naftënxjerrëse ruse në Detin Artik, mund të pushojë.

Gjithashtu, pritet të përfitojnë këngëtaret Maria Alyokhina dhe Nadezhda Tolokonnikova.

Anëtarët e “Pussy Riot” u burgosën në vitin 2012, gjithashtu për huliganizëm, pasi performuan një këngë anti-qeveritare brenda një katedrale në Moskë.

Top Channel