Dalin videot e dëshmive të Bill e Hillary Clinton në Kongres për lidhjen me Epstein: E vërteta e fotos në vaskë, biseda me Donald Trump për financierin
Presidenti i rrëzuar egjiptian, Mohamed Morsi akuzohet për konspiracion dhe bashkëpunim me organizatat e huaja me qëllim ndërmarrjen e akteve terroriste në vend.
Kjo është akuza e re që rëndon mbi presidentin e rrëzuar më 3 korrik nga ushtria egjiptiane, pas protestave të forta të popullsisë.
Prokurorët thonë se Morsi kishte lidhur një aleancë me grupin militant palestinez, Hamas dhe atë libanez, Hezbollah për ndërmarrjen e akteve terroriste në Egjipt që synonin destabilizimin e vendit dhe rikthimin e tij në pushtet.
Vec Morsit akuzat të rënda, që ligjet e ashpra vendase parashikojnë edhe dënimin me vdekje, rëndojnë edhe ndaj 34 drejtuesve të tjerë të lartë të “Vëllazërisë Muslimane”.
Që prej rrëzimit më 3 korrik, Morsi është përballur me akuzën e nxitjes së dhunës dhe vrasjeve. Ai është mes qindra personave të tjerë të arrestuar nga ana e ushtrisë në operacionin që gjeneralët e cilësuan si “luftë kundër terrorizmit”.
Paralelisht me gjyqin për nxitjen e dhunës dhe vrasjeve, Morsi po gjykohet gjithashtu edhe për mashtrim me financat, që lidhet me programin ekonomik të shpallur nga “Vëllazëria Muslimane”, i quajtur “Rilindja” (al-Nahda).
Vetë ish-presidenti i quan akuzat e ngritura kundër tij si false dhe rrëzimin e tij si grusht shteti. Në fillim të këtij muaji, Ministri i Brendshëm deklaroi se nuk do të lejojë më familjarët dhe avokatin e Morsit ta vizitojnë atë në qeli, me argumentimin se gjatë këtyre takimeve ‘ai lëshon deklarata që nxisin dhunën në vend’.
Që prej rrëzimit të Mubarakut, në 2011, Egjipti është përfshirë nga një falë trazirash që herë pas herë përshkallëzohen. Zgjedhjet e para të lira në këtë vend sollën në pushtet Muhamed Morsin. Por shumë shpejt, egjiptianët do të dilnin sërish në rrugët dhe sheshet e vendit kundër presidentit të tyre duke e akuzuar atë për tradhëti ndaj idealeve të revolucionit.
Protestat u shndërruan të dhunshme në dhjetor të 2012-ës. Shtatë persona mbetën të vrarë gjatë përleshjeve mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Morsit me njëri-tjetrin dhe me forcat e sigurisë përpara pallatit presidencial në Kajro.
7 muaj më vonë, protestat nuk kishin ndalur dhe opozita e organizata të tjera akuzonin Morsin se me dekretet e tij po synonte vendosjen e një shteti islamik. Më 3 korrik ushtria ndërhyn duke rrëzuar Morsin. Vendimi i gjeneralëve pasoi me ditë të tëra përleshjesh të përgjakëshme në të gjithë vendin, ku u raportuan qindra viktima.
Top Channel