“Qeveria të financojë për stadiumin”

18/12/2013 00:00

Ndër projektet më madhore momentale në futbollin shqiptar është ndërtimi i stadiumit të ri, për të cilin tashmë kanë mbërritur dy propozime.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, thekson se pavarësisht diskutimeve që ky stadium do të jetë me koncesion, ai nuk mund të ndërtohet pa u financuar edhe nga shteti shqiptar dhe FSHF.

“Brenda janarit do të kemi një raport të konsulentëve, të cilën do t’ia paraqesim qeverisë për t’i dhënë rrugë të mëtejshme zhvillimit të projektit. Sic e kam thënë edhe herë të tjera, në të dy propozimet që kanë ardhur kërkohet mbështetje financiare nga qeveria shqiptare dhe nga ne. Projekti nuk del fizibël, nëse nuk ka një mbështetje apo një bashkëfinancim dhe nga aktorët e tjerë, siç thashë, qeveria dhe FSHF”, u shpreh Armando Duka.

Sa i përket rikonstruksionit të stadiumeve të tjera, që të plotësojnë kushtet minimale për ndeshjet ndërkombëtare, presidenti Duka thekson se, në bazë të projekteve të specialistëve të tyre, rikonstruksioni i stadiumit “Loro Boriçi” kushton rreth 2 milionë euro, ndërsa 1,5 milionë euro kushton rikonstruksioni i stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, për të plotësuar ato kushte minimale, që Shqipëria të mos luajë jashtë vendit.

Dhuna në stadiume
Didi: Duhet bashkëpunimi i të gjithëve, nuk është vetëm çështje policie

Duke qenë se edhe dhuna është bërë pjesë e stadiumeve shqiptare, tryezës së njerëzve të sportit i ishte bashkuar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Artan Didi. Megjithatë, sipas tij, dhuna nuk është një fenomen që eliminohet vetëm nga policia, por duhet bashkëpunimi i të gjithë aktorëve.

“Siguria në stadiume nuk varet vetëm nga pjesëmarrja e forcave të policisë dhe nuk mendoj se dhuna në stadiume duhet zgjidhur vetëm përmes prezencës së tyre apo nëpërmjet masave represive policore. Policinë e kemi të përgatitur shumë mirë për të zgjidhur situata të tilla, në kuadër të këtyre aktiviteteve masive. Kemi forca të posacme për këtë problematikë. Gjithë puna është që masat të merren dhe të kihet informacioni i nevojshëm në rastet kur mendohet se mund të ketë dhunë në stadiume”, deklaroi Artan Didi, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Top Channel