Marrëveshja e Gazprom-it, reagon Brukseli

18/12/2013 00:00

Marrëveshjet mes koncernit energjetik rus, Gazprom, dhe shtatë vendeve europiane ishin nënshkruar, kur Komisioni Europian tërhoqi frenat: ujditë shkelin rregullat e BE-së, sepse një firmë nuk mund të jetë njëherazi pronarja e një gazsjellësi dhe të ketë monopolin e transportit të gazit.

Në janar, Komisioneri europian për Energjitikën, Günther Oettinger, do të udhëtojë drejt Moskës për të negociuar me përfaqësues të Kremlinit, në emër të gjashtë vendeve anëtare; Hungarisë, Bullgarisë, Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë dhe Greqisë; si edhe të vendit kandidat të BE-së, Serbisë.

Në jugun e Rusisë, në Bullgari dhe Serbi, janë vendosur ndërkohë tubacionet e para të gazsjellësit jugor, të njohur si “South Stream Pipeline”.

Që nga fundi i vitit 2015, pritet që gazi rus të kalojë përmes Detit të Zi dhe të transportohet në BE, përmes këtij gazsjellësi. Stacionet e fundit janë Austria dhe Hungaria.

Dega jugore, në të ardhmen mund të përfshijë Greqinë dhe, përmes Adriatikut, të kalojë në Italinë e jugut.

Gazprom-i pretendon të ketë në dorë të gjitha kapacitetet, por ekspertet mendojnë se kjo politikë është “kundër klientëve” dhe, nga ana tjetër, nuk është e drejtë as nga ana e konkurueshmërisë.

Por, jo të gjithë e ndajnë këtë qëndrim. Rusia financon pjesën më të madhe të projektit, me 16 miliardë euro, prandaj dhe duhet të përfitojë nga ky projekt, – është e këtij mendimi gazetarja serbe, Jelica Putnikovic, kryeredaktore e gazetës “Balkan Magazin”.

Sipas saj, reagimi i fortë i BE-së është i motivuar politikisht. Ashtu si për krizën në Ukrainë, edhe projekti i gazsjellësit, – thotë Putnikovic, – duket se po shërben për një raund të ri të matjes së forcave, mes Brukselit dhe Moskës.

Top Channel