Vendimi i Ukrainës për të pezulluar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian dhe për të firmosur një marrëveshje me Rusinë ndihmoi vendin për të shmangur falimentimin, u tha kryeministri Mykola Azarov gazetarëve në Kiev.
Më parë gjatë javës, presidenti ukrainas, Vitor Yanukovych udhëtoi në Moskë, ku ra dakord me homologun e tij Putin për reduktimin me një të tretat të çmimit të gazit rus dhe për një hua madhore, me Rusinë që u zotua të blinte 15 miliardë dollarë bono thesari të Ukrainës.
Marrëveshja në Kremlin është akuzuar nga opozita për mungesë transprance, në një kohë kur mijëra demonstrues kanë pushtuar rrugët e Kievit, në protestë kundër kursit pro-rus të qeverisë.
Qeveria ukrainase nuk ka qartësuar se çfarë i ka ofruar rusëve, në këmbim të kësaj pakete.
Megjithatë, sipas Azarovit, paketa e firmosur me Rusinë do ta forcojë qëndrueshmërinë ekonomike të Ukrainës.
“Çfarë do ta kishte pritur Ukrainën pa këtë paketë ndihme? Përgjigja është e qartë, falimentimi dhe kolapsi shoqëror. Çfarë dhurate do të kishte qenë kjo për të gjithë popullin ukrainas?”, deklaroi kryeministri Azarov.
Megjithese detajet e marrëveshjes të arritur mes Ukrainës dhe Rusisë janë të paqarta, udhëheqesi opozitar, Oleg Tiahnibok tha të mërkurën se Yanukovych i la peng Moskës sektore të tërë të ekonomisë.
Ukraina ka nevojë për të mbuluar, vitin tjetër, hendekun e fondeve nga jashtë, në vlerën e 17 miliardë dollarëve për të shmangur rënien ekonomike.
Kreu i Kremlinit, Putin tha se ndihma nuk është e lidhur me ndonjë kusht dhe se gjatë takimit nuk u diskutua për unionin doganor ku bën pjesë, veç Rusisë edhe Bjellorusia e Kazakistani.
Në një deklaratë, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan qeverinë ukrainase se marrëveshja me Rusinë nuk do të kënaqë protestuesit.
Ndërsa Kancelarja Gjermane, Angela Merkel tha se lidhjet me Rusinë nuk duhet ta ndalojnë Kievin të shohë nga perëndimi.
Marrëveshja mes Gazpromit të Rusise dhe Naftogazit të Ukraines ndryshon marrëveshjen shumë të debatueshme të vitit 2009, e cila u nënshkrua nga ish-kryeministria Yulia Tymoshenko, marrëveshje për të cilën ajo u burgos dy vjet më parë.
Top Channel