Ukrainë, Yanukovych “ndihmë” Rusisë

17/12/2013 00:00

Presidenti ukrainas, Viktor Yanukovych, pritet të diskutojë mbi bashkëpunimin më të ngushtë me Rusinë, pavarësisht se protestat vazhdojnë në Ukrainë, që prej refuzimit nga ana e tij për të nënshkruar marrëveshjet me BE-në.

Sigurimi i huave tejet të domosdoshme dhe një ulje çmimi për gazin e importuar nga Rusia raportohen të jenë në axhendë, kur Yanukovych të takohet me presidentin Vladimir Putin. Por, protestuesit pro-europianë në Ukrainë i frikësohen faktit që Yanukovych mund të nënshkruajë një marrëveshje, që e lidh Kievin me Bashkimin Doganor të kryesuar nga Rusia.

Kthesa e Yanukovych ndaj Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me BE-në, muajin e kaluar, nxiti protesta masive në të gjithë Ukrainën. Yanukovych pranoi se vendimi i tij ishte influencuar nga presioni i madh prej Rusisë.

Protestat aktuale, më të mëdhatë në vend që prej “Revolucionit Portokalli” të vitit 2004 në Ukrainë, synojnë të nxisin Yanukovych të shkarkojë qeverinë e tij dhe të mbajë zgjedhje të parakohshme.

Yanukovych pritet të takohet me Putin rreth 15:00 me orën lokale (12:00).

Duke qenë se bisedimet për rifillimin e marrjes së kredive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë ngecur, Ukraina kërkon në mënyrë urgjente ndihmë financiare në muajt në vijim për të mbajtur ekonominë në ujra të qëndrueshme.

Kievi ka nevojë gjithashtu për rreth 17 miliardë dollarë gjatë vitit të ardhshëm, për t’i paguar faturat e gazit ndaj Rusisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB