“Kujdes nga Al Kaeda afrikane”

17/12/2013 00:00

Një ish-oficer i lartë i ushtrisë britanike ka paralajmëruar se bota
duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kërcënimit që vjen nga Al Kaeda
nën-Sahariane.

Gjenerali David Richards ka deklaruar se Britania duhet të mësojë nga ato që ka bërë dhe nga ato që ka dështuar të bëjë.

Ai gjithashtu ka shtruar pyetjen nëse operacionet e NATO-s në Libi në vitin 2011 ishin gjëja e duhur, duke sugjeruar se kjo mund të ketë ndikuar në përhapjen e armëve në rajon.

Në vitet e fundit grupe të ndryshme islamike kanë shtrirë aktivitetet e tyre në shumë vende afrikane.

Në Somali trupat e Unionit Afrikan po luftojnë me militantët e Al Shabab, që kanë tërhequr vëmendjen e gjithë botës pas sulmit në qendrën tregtare në Kenia më herët gjatë vitit.

Trupat franceze iu përgjigjën kërcënimit islamik në Mali, ndërsa në Nigeri është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për të parandaluar sulmet nga grupe të tjera ekstremiste.

“Kam frikë se Afrika nën-Sahariane do të jetë fronti i ri, në përmasa shumë më të mëdha nga sa është tani”, ka thënë gjenerali, i cili u tërhoq vitin e kaluar nga detyra.

“Ne duhet të mësojmë nga ajo që kemi bërë dhe nga ato që nuk kemi arritur të bëjmë në zona të tjera të botës, për të luftuar rrezikun e ekstremizmit. Duhet të veprojmë shpejt, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet”, ka vijuar ish-oficeri i lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB