Komisioni Europian heton Realin e Barçën

17/12/2013 15:45

Reali i Madridit dhe Barcelona janë duke u hetuar nga ana e Komisionit Europian, mbi dyshimet se ato kanë marrë ndihma të paligjshme nga ana e shtetit.

Ministria e Jashtme Spanjolle informoi gjatë të martës se nën hetim janë vendosur edhe pesë klube të tjera, Osasuna, Athletic Bilbao, Valencia, Elche e Hercules.

Barcelona, Reali, Osasuna dhe Athletic Bilbao akuzohen se kanë përfituar nga një skemë favorizuese tatimore, duke paguar më pak taksa për shkak të një mospërputhje që ekziston në ligjin spanjoll krahasuar me atë europian, mbi klubet e zotëruara me kapital të vetë anëtartëve të tyre.

Komisioni dyshon gjithashtu që shteti të ketë dhënë një ndihmë direkte me fonde për përmirësimin e stadiumit ose fushave stërvitore me fonde shtetërore për Realin dhe Bilbaon.

Valencia, Elche dhe Hercules po hetohen pasi kanë marrë kredi, në të cilat garant ka dalë qeveria lokale e rrethit nga ato vijnë.

Të gjithë këto shkelje bien ndesh me ligjet europiane, por sipas ministrit të Jashtëm, Jose Manuel Garcia Margallo, nuk ka asnjë abuzim. “Është detyrë e qeverisë që të mbrojë klubet e futbollit, ashtu siç përpiqet të mbrojë çdo biznes tjetër spanjoll”, tha Margallo.

Top Channel