Kavajë, polici plagoset në komisariat

17/12/2013 00:00

Një punonjës policie i komisariatit të Kavajës është plagosur brenda ambienteve të këtij komisariati nga një i shoqëruar për mungesë dokumentacioni të mjetit motorik që zotëronte.

Oficeri i shërbimit, Xhemal Plaku, ka mbetur i plagosur në kofshë, ndërsa po kryente procedurat për ndalimin e një të riu nga fshati Hajdaraj i Kavajës. Gjatë shoqërimit në polici ka rezultuar se i riu mbante një armë zjarri me vete e cila i është bllokuar.

Në këto rrethana, kur përgjegjësia e tij penale është shtuar me konstatimin e një tjetër vepre, atë të armëmbajtjes pa leje, i riu ka nxjerrë një tjetër pistoletë të fshehur në trup dhe në formë presioni e ka drejtuar mbi veten. Ndërhyrja e oficerit për t’i marrë armën ka çuar në shkrepjen e saj dhe plagosjen e Plakut i cili ndodhet në urgjencën e spitalit rajonal të Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.

Familjarë të shqetësuar të policit kanë mbërritur në spital, ndërkohë që në Komisariatin e Policisë së Kavajës, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka marrë në analizë ngjarjen dhe ka lënë detyra konkrete për të forcuar masat gjatë procedurave të shoqërim-ndalimit.

Nuk dihet ende nëse ngjarja do të pasohet dhe me marrjen e masave disiplinore ndaj bluve të Kavajës.

Top Channel