Janukovic takon Putin, protesta në Kiev

17/12/2013 00:00

Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukovic dhe ai rus, Vladimir Putin zhvilluan në Moskë një takim ku në qendër ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Para takimit, pati spekulime se Janikovic do t’i kërkonte Rusisë një hua madhore dhe ulje të cmimit të gazit. Por në përfundim të këtij takimi asnjëra prej këtyre nuk u konfirmua nga dy presidentët, megjithëse ekipet e tyre firmosën një sërë marrëveshjesh në fushën e bashkëpunimit ekonomik.

“Rusia dhe Ukraina janë të bashkuara prej shekujsh në miqësinë e tyre duke qenë se për një kohë të gjatë kanë jetuar nën të njëjtin shtet”, deklaroi presidenti Putin në fund të takimit.

Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë pësuar rënie në dy vitet e fundit, përkatësisht me 11 përqind në 2012 dhe 14.5 përqind për këtë vit.

“Është koha që të marrim masa të domosdoshme,  që jo vetëm ta cojmë këtë shkëmbim tregtar në nivelet e viteve të kaluara, por gjithashtu të krijojmë kushtet për të ecur akoma më përpara”, tha ai.

Nga ana e tij, presidenti ukrainas tha se Kievi do të punojë me Rusinë dhe ish-republikat e tjera sovjetike për të vënë në zbatim marrëveshjen e tregtisë së lirë, të nënshkruar mes dy vendeve 2 vite më parë.

“Në një të ardhme të afërt, ne jo vetëm që do të koordinojmë punën mes dy vendeve, mes Rusisë dhe Ukrainës, por së bashku me vendet e tjera ish-sovjetike në mënyrë që marrëveshja për tregti të lirë të zbatohet me kapacitet të plotë”, tha Janukovic.

Kievi ka nevojë urgjente për një paketë financiare prej 17 miliard dollarë për të paguar faturat e gazit rus, por edhe për të shmangur një kolaps ekonomik. Pas ngrirjes së bisedimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar, shumë analistë mendojnë se Ukraina tashmë do t’i shtrijë dorën Moskës për ndihmë.

Por në vend, protestuesit pro-europianë i frikësohen faktit që Janukovic mund të nënshkruajë një marrëveshje që e lidh Kievin me Bashkimin Doganor të kryesuar nga Rusia.

Kthesa e presidentit ukrainas ndaj Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me BE-në, muajin e kaluar, nxiti protesta masive në të gjithë vendin. Janukovic pranoi se vendimi i tij ishte influencuar nga presioni i madh prej Rusisë.

Protestat aktuale, më të mëdhatë në vend që prej “Revolucionit Portokalli” të vitit 2004, synojnë të nxisin Janukovic të shkarkojë qeverinë e tij dhe të mbajë zgjedhje të parakohshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB