
Ka përfunduar në barazim 2-2 sfida e fundit e javës së 16 të Serisë A, mes Milanit e Romës, e luajtur në “San Siro”.
Një ndeshje me shumë grintë e nervozizëm, e cila nisi pozitivisht për verdhekuqtë, që kaluan në avantazh me Destro-n pas vetëm 13 minutash lojë.
Kuqezinjtë hasin vështirësi në depërtimet në zonën e romanistëve, por Zapata, duke shfrytëzuar një top të ardhur nga goditja e këndit, e devijuar nga Balotelli më parë, barazon shifrat pas një goditjeje të kombinuar me kokë e me gju.
Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e barabartë 1-1, ndërsa e dyta nis me një zëvendësim për Milanin, teksa Gabriel zë vendin e Abbiati-t. Vetëm pas 5 minutash lojë nga 45 minutëshi i dytë, portieri brazilian bëhet protagonist në lojë, me ndërhyrjen ndaj Gervinho-s brenda zonës së rreptësisë, edhe pse i dyshimtë.
Arbitri akordon penallti, që transformohet me lehtësi në gol nga Strootman. Megjithatë, Milan nuk dorëzohet deri në fund, gjen golin e barazimit në minutën e 76 me anë të Muntari-t, si dhe shpërdoron një rast të pastër me anë të Balotelli-t, i cili pas një aksioni individual shmang shumë mirë mbrojtësin kundërshtar, por përpara portës godet jashtë.
Minutat e fundit tensionohen për disa ndërhyrje të ashpra dhe protestave të futbollistëve në fushë, duke bërë që të ndëshkohen me të verdhë Kakà, Montolivo, e më pas Balotelli me Strootman. I ndëshkuar përfundon edhe Allegri.
Ky ishte barazimi i pestë për skuadrën e Rudi Garcia në kampionat, e cila e sheh veten tashmë 5 pikë larg Juventusit të vendit të parë, ndërkohë që Milan gjendet në vendin e 10 me 19 pikë.
Top Channel