Organizata e Kombeve të Bashkuara zhbllokoi këtë të hënë ndihmën më të madhe humanitare për Sirinë që prej fillimit të konfliktit në Mars 2011, por disa ekspertë reaguan duke thënë se vetëm paratë mund të mos jenë të mjaftueshme për qindra mijëra sirianë të mbetur si në kurth midis zonave të luftimit.
OKB njoftoi këtë të hënë për akordimin e 6,5 miliardë dollarëve ndihma, që do të përdoren për furnizimin e civilëve sirianë brenda vendit dhe në kampet e refugjatëve në vendet fqinje me ushqime, mjekime dhe batanije për të përballuar dimrin.
Ndihma rekord vjen si pasojë e përkeqësimit të vazhdueshëm të kushteve në të cilat jeton popullsia civile në Siri.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, tashmë më shumë se 3/4 e popullsisë së Sirisë, prej 22,4 milionë banorësh, do të kenë nevojë për ndihmë humanitare gjatë 2014-s.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së ndihmave, të paktën 250 mijë sirianë nuk kanë akses ndaj tyre, për shkak se jetojnë në zonat më të nxehta të luftimeve.
Raportime nga Siria thonë se buka tregtohet me çmimin e paraluftës vetëm në furrat e subvencionuara nga shteti në Damask.
Në rrethinat e kryeqytetit, ashtu si në të gjithë pjesën tjetër të vendit, çmimi i saj është rritur me 500% dhe shpesh herë, krahina të tëra përballen me zi buke.
Situata nuk është e lehtë as në kampet e refugjatëve, ku 2,5 milionë sirianë jetojnë në kushte tepër të vështira, shpesh të privuar edhe nga minimumi i domosdoshëm për shkak të vështirësive në shpërndarjen e ndihmave, përballimin e dimrit dhe fluksit të vazhdueshëm të sirianëve që kalojnë kufirin për në Turqi, Liban, Jordani apo Irak.
Top Channel