Liga e Kampioneve, hidhet shorti i 1/8-ve

16/12/2013 00:00

Është hedhur shorti i 1/8-ve të Ligës së Kampioneve dhe menjëherë do të kemi mundësinë të shohim dy supersfida: Manchester City-Barcelona dhe Arsenal-Bayern Munchen.

“Pasanikët” e Manchester kanë një shans shumë të mirë ndaj një Barcelone që nuk është ajo e viteve të fundit, ndërsa kampionët në fuqi të Bayern nuk do e kenë të lehtë ndaj Arsenalit të përforcuar me Mesut Ozil.

Milani, skuadra e vetme italiane në këtë kompeticion, do të përballet me surprizën e kampionatit spanjoll: Atletico Madrid, ekipin e drejtuar nga Diego Pablo Simeone.

Nëntë herë kampionët e Europës, Real Madrid, do të ndeshen me Schalke 04, ndërsa nënkampionët në fuqi të këtij kompeticioni, Borussia Dortmund, do të takohen me rusët e Zenitit.

Interesant do të jetë edhe ritakimi i Jose Mourinho (Chelsea) me ish-lojtarët e tij Drogba e Snejder, të cilët eleminuan Juventusin me skuadrën e tyre Gallatasaraj.

PSG-ja e Ibrahimovic, Cavani dhe Thiago Silva është favorite në përballjen ndaj gjermanëve të Bayer Leverkusen.

Në fund, Manchester United do të jetë kundërshtari i grekëve të Olympiakos.

Luis Figo, ish-futbollist i Barcelonës, Realit dhe Interit, ishte ai që tërhoqi goglat duke përcaktuar fatet e 16 skuadrave më të mira të Europës.

Ja çiftet e fazës së 1/8-ve të Ligës së Kampioneve:

Manchester City-Barça
Olympiacos-Manchester United
Milan-Atlético de Madrid
Bayer Leverkusen-PSG
Galatasaray-Chelsea
Schalke 04-Real Madrid
Zenit-Dortmund
Arsenal-Bayern

Top Channel