F1, Montezemolo: Mjaft dolëm të dytët

16/12/2013 00:00

Luca Di Montezemolo është ngopur me vende të dyta dhe këtë gjë e ka bërë shumë të qartë në takimin e Krishtlindjes të organizuar nga skuderia Ferrari.

“Personalisht jam mërzitur me vendin e dytë. Kemi mundësitë për t’u ngjitur aty ku na takon. Secili nga ju duhet të fitojë pole-position në punën që zhvilloni, kjo është ajo që kërkoj”, tha presidenti i Ferrarit duke iu drejtuar të gjithë punonjësve të tij.

Montezemolo, përveç kërkesave, nuk harroi edhe t’i vlerësonte punonjësit për punën e bërë: “Ju jeni vlera e vërtetë e Ferrarit. Ju falenderoj për punën edhe pse sezoni nuk ishte ashtu siç do e dëshironim, sidomos pas një fillimi të mirë.”

Në fund, disa fjalë edhe për pilotët e Ferrarit: “Alonso ka dhënë maksimumin në vitet e fundit dhe meriton një makinë të mirë me të cilën të ketë mundësinë të luftojë për titullin. E di që është i mërzitur, por jam i sigurtë që ai e di shumë mirë se çfarë përfaqëson Ferrari dhe do të jetë edhe më i motivuar për të fituar.

Përsa i përket Masës: “Felipes do i bëjë mirë largimi. Do të nisë një aventurë të re, por dyert e Ferrarit gjithmonë do të jenë të hapura për një pilot si ai. Emri i tij është i ngjitur me atë të Ferrarit dhe e falenderoj për kontributin e tij në këto 8 vite.”

Top Channel