Cameron: Misioni në Afganistan, i kompletuar

16/12/2013 00:00

Për David Cameron, misioni në Afganistan mund të konsiderohet i përmbushur dhe trupat britanike mund të kthehen në shtëpi me këtë ide: sakrifica e bërë i ka dhënë frytet e veta.

Komentet në fjalë, kryeministri i Britanisë i bëri gjatë një vizite në këtë vend, një vit përpara se forcat e fundit luftarake të Mbretërisë së Bashkuar të largohen prej andej.

Gjatë takimit me trupat e stacionuara në “Camp Bastion”, në provincën e Helmandit, Cameron, që hëngri mëngjes me ushtarët, u shpreh se niveli bazik i sigurisë në Afganistan është arritur sipas objektivit.

“Ta dini se mund të ktheheni duke e mbajtur kokën lart”, tha shefi i qeverisë britanike.

Me largimin e forcave të huaja nga Afganistani, krerët ushtarakë vendas po përgatiten për një rritje të aktivitetit të militantëve, e sidomos zgjedhjet e vitit që vjen do të jenë në vëmendje të veçantë të grupeve rebele.

Cameron shoqërohej në këtë rrugëtim edhe nga Michael Oëen, i cili u tregua mëse i gatshëm të ndihmonte për organizimin e një ndeshjeje futbolli, gjatë së cilës kryeministri u takua edhe me efektivë të ushtrisë afgane.

Aktualisht, në Afganistan janë të stacionuara 5,200 trupa britanike, nga 9,000 që ishin në fillim të vitit. Që nga fillimi i operacioneve, në 2001-shin, numri i ushtarëve të vrarë është 446. David Cameron ka bërë çdo vit një ndalesë përpara Krishtlindjes në Afganistan, që nga prej marrjes së postit të kryeministrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB