Napoli mposhti 4-2 Interin, ndërkohë që Rafa Benitez triumfoi ndaj Valter Mazzarrit. Dy ish-trajnerët e këtyre dy skuadrave përjetuan një mbrëmje emocionuese nga minuta e parë e deri tek ajo e fundit ditën e dielë.
Benitez hakmerret ndaj ish-skuadrës së tij dhe ngjitet në vendin e tretë, 8 pikë më pak se Juvja kryesuese. Vendasit kaluan të parët në avantazh me Higuain, ndërkohë që Interi barazoi në të 35 me Cambiasso. Por, ndryshimi i taktikës së lojës nga Benitez bëri që Napoli të shënojë brenda 3 minutave dy herë në portën e Interit me Mertens dhe Xhemajlin. Nagatomo me golin e tij në fundin e pjesës së parë rihapi lojën.
Interi e nisi më mirë pjesën e dytë, por dalja me të kuq e Alvarez i dha mundësinë lojtarëve të Napolit të ulnin ritmin e lojës së kundërshtarëve dhe të kthenin gjithçka në favor të vet. Në minutën e 81 Callejon shënoi golin e katërt për Napolin, ndërkohë që Pandev shpërdoroi një 11-metërsh në fund.
Pas kësaj fitoreje, Napoli mbetet një kandidat për titullin kampion, ndërkohë që për Interin kjo humbje e largon atë 7 pikë nga vendi i tretë.
Top Channel