
Është mbyllur operacioni i autoriteteve spanjolle dhe atyre kolumbiane kundër një rrjeti ndërkombëtar trafikimi lëndësh narkotike që përdorte ndeshje futbolli bamirësie për të pastruar paratë dhe Jorge Messi, babai i Leo Messi, nuk ka aspak lidhje me këtë çështje.
“El Mundo” kishte publikuar gjatë paradites se i ati i një prej futbollistëve më të famshëm në Botë ishte në qendër të hetimit, por burime nga grupet hetimore kanë theksuar për ‘Europa Press’ se nuk po hetohet aspak babai i yllit argjentinas.
Sipas tyre, Jorge Messi nuk ishte aspak në dijeni që ndeshjet miqësore ku ishte protagonist djali i tij kishin si qëllim pastrimin e parave të drogës.
Lajmi i “El Mundo”
Ditën e hënë u publikua se Jorge Messi, babai i Leo Messit, po hetohej për përfshirjen në trafikun
ndërkombëtar të drogës, hetim që udhëhiqej nga policia spanjolle. Sipas gazetës spanjolle, në lidhje me këtë çështje janë marrë në pyetje edhe lojtarët e Barcelonës: Leo Messi, Mascherano, Pinto dhe Dani Alves.
Hetimi kishte të bënte me mekanizmat e përdorura nga narkotrafikantët për të pastruar paratë nëpërmjet eventeve të bamirësisë (ndeshjet miqësore të Miqve të Messit). Në qendër të hetimeve gazeta “El Mundo” shkruante se ishte pikërisht babai i yllit argjentinas dhe mendohej se ai kishte ndihmuar në pastrimin e disa miliona eurove.
Skuadra “Miqtë e Messit” është pjesë e aktivitetit të fondacionit të futbollistit që është e përfshirë në projekte të ndryshme sociale.
“El Mundo” shkruante se kishte dyshime që Jorge Messi merrte 10-20% të parave të pastruara.
Familja Messi po mendon denoncimin e “El Mundo”-s
Pas lajmit të publikuar në “El Mundo”, familja Messi nuk është prononcuar zyrtarisht, por sipas ‘Sport’ po mendon të denoncojë gazetën për publikimin e një lajmi të tillë.
Po sipas ‘Sport’, familja Messi mohon të gjitha këto informacione duke i cilësuar si “një fushatë të shtypit madrilen që kërkon të prishë imazhin e Messit”.
Top Channel