Apeli zbut dënimin ndaj Kukësit

16/12/2013 00:00

Komisoni i Apelit në FSHF e ka falur skuadrën e Kukësit, duke ia rikthyer 3 pikët e hequra nga komisioni i Disiplinës, ndërkohë që ka zbritur në 5 javë pezullimin për trajnerin Naxhi Shensoj, nga 12 të dhëna nga Disiplina.

Mbledhja e komisionit të Apelit ishte parashikuar që të mbahej të premten e kaluar, por reagimet e forta të drejtuesve të klubit të Kukësit dhe protestat disa ditore të tifozëve të kësaj skuadre bënë që drejtuesit e Apelit të merrnin pak më shumë kohë në dispozicion, për ta trajtuar me qetësi atë që ndodhi para 2 javëve në Kukës.

E vetmja pikë, ku komisioni i Apelit ra dakord me atë të Disiplinës, është që skuadra e Kukësit të luajë 4 ndeshje jashtë fushës së vet.

Kështu, skuadra verilindore do të rikthehet në stadiumin “Zeqir Ymeri”, më 1 mars 2014, në sfidën ndaj Laçit.

2 javë më parë, pas ndeshjes Kukësi-Skënderbeu, tentativa për të dhunuar arbitrin Enea Jorgji dhe goditja e trajnerit të Skënderbeut, Mirel Josa, solli dhe masat e rënda të komisionit të Disiplinës.

Kjo nuk është hera e parë, që klubi i Kukësit ndëshkohet për shkak të tifozëve.

Në maj të vitit 2012,  skuadra e Kukësit u dënua nga Disiplina me 6 ndeshje pa tifozë, për shkak të hedhjes së sendeve të forta, që shkaktuan ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes së Kategorisë së Parë, Kukësi-Luftëtari, ndërkohë që, po nga hedhja e sendeve të forta, shtatorin e kaluar, Disiplina vendosi t’i japë fitoren në tavolinë skuadrës së Vllaznisë.

Top Channel