Mjetet e rënda të INUK-ut kanë vazhduar pa ndërprerje punën për rrëzimin e pjesës së mbetur nga kompleksi “Jon” pas shkatërrimit me eksploziv.
Gjatë gjithë natës, katër mjete të rënda kanë vazhduar të godasin kolonat mbajtëse të pallatit. Por, edhe pse nuk është pushuar për asnjë çast, gjatë orëve në vazhdim kolonat i kanë rezistuar goditjeve të pandërprera.
Polica e Rendit si dhe Forcat Ndërhyrjes së Shpejtë mbajtën të rrethuar territorin dhe do vazhdiojnë ta bëjnë një gjë të tillë derisa të rrëzohet edhe kolona e fundit e këtij kompleksi.
Drejtorit i INUK-ut, Zyhdi Dajti, thotë se sipas ekspertëve mendohet që rrëzimi i plotë të realizohet mesditën e së dielës, duke përllogaritur edhe intesitetin e punës që është duke u kryer.
Konstruksioni me hekur të dendur si dhe montimi i eksplozivit në një sasi më të vogël në këtë godinë, për shkak se rrezikoheshin banesat rreth e rrotull bëri që kjo godinë të mos shembej totalisht.
Qytetarët e Vlorës kanë qenë kuriozë për të parë nga afër në shkatërrimin e godinës, ndaj dhe policia ka krijuar një perimetër sigurie.
Pas rrëzimit, forcat e INUK-ut do të merren edhe me largimin e inerteve të cilat në këtë zonë bllokojnë edhe rrugën kryesore.
Top Channel