Propozimi për Edward Snowden

15/12/2013 00:00

Me 1,5 milionë dokumente sekrete në duart e tij, Edward Snowden vazhdon të mbetet një shqetësim për Shtetet e Bashkuara, edhe pse për momentin i fjetur.

Kreu i agjencisë amerikane të sigurisë kombëtare (NSA), gjenerali Keith Alexander mendon se 30-vjeçari duhet ndëshkuar për veprimin e tij. Por, njeriu që Alexander ka caktuar në krye të “Task Forcës” vlerësuese të dëmit, që ka sjellë rrjedhja e informacioneve nga ish-punonjësi i NSA-së, ndan tjetër bindje.

Richard Ledgett thotë se, për shkak të trazirave të tjera që mund të shkaktojë me materialet që disponon, do të ishte në interes të kombit që, në këmbim të dokumenteve sekrete, Shtetet e Bashkuara t’i ofrojnë Snowden-it amnistinë.

“Në këndvështrimin tim, amnistia e Snowden është një çështje që meriton të diskutohet. Sigurisht, do të kem nevojë për garanci se do të dorëzojë të gjitha dokumentet që zotëron e, pas kësaj, ato do të sigurohen nga ana jonë. Nëse pranon ta bëjë një gjë të tillë, për Snowden do të jetë më shumë se sa kërkesë për mbrojtje”, tha Richard Ledgett, drejtues i “Task Forcës” për çështjen “Snowden”.

Keith Alexander ka tjetër mendim.

“E gjithë kjo situatë është e ngjashme me atë të një personi, që merr peng 50 vetë, vret 10 prej tyre, dhe thotë: po më dhatë faljen, 40 të tjerët do t’i lë të lirë. Ju çfarë do të bënit?”, pyet Alexander, shef i NSA-së.

NSA-ja, ndërkohë, ka bërë me dhjetra ndryshime në rrjetet e saj kompjuterike dhe mënyrën e operimit, për të parandaluar shfaqjen e një tjetër “Snowden”-i. Ndër masat e marra rezulton dhe ndëshkimi disiplinor. Një panel i Shtëpisë së Bardhë, sakaq, ka rekomanduar që agjencia të kufizojë përgjimet e të tregojë më shumë transparencë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB