Duart e nënë Lides, gruas 76-vjeçare nga rrethi i Elbasanit, kanë thurur dhjetra veshje popullore të ansamblit të Gjirokastrës, e më pas edhe të Elbasanit.
Puna në tezgjah është e lodhshme, por për Lide Kasën jo, pasi ka 61 vite që merret me këtë zanat.
“Kam punuar rrobet e festivalit të Gjirokastrës, që bënin në kohën e Enver Hoxhës, pikërisht të ansamblit të atij qyteti. Edhe sot e vazhdoj këtë punë me tezgjah. Edhe pse është e vështirë, për mua nuk më duket fare e tillë, pasi kam kaq vite që punoj”, tha Lide Kasa.
Është nënë e pesë fëmijëve dhe tregon se me këtë punë ka mbajtur familjen, ndaj ia ka trashëguar nuseve dhe vajzës së saj.
Djali i nënë Lides tregon se, prej pesë vitesh, punimet i çojnë në Itali dhe Paris, ku janë të interesuar për pëlhura, por edhe pjesë të ndryshme të veshjeve tona tradicionale.
Dhjetra biznese artizanale kanë ekspozuar punët e tyre në sheshin “Vëllezërit Frashëri”. Pjesa më e madhe e tyre punojnë me tregjet e huaja, të cilat i vlerësojnë punët me dorë.
Top Channel