BE pezullon marrëveshjen me Ukrainën

15/12/2013 12:40

Bashkimi Europian vendosi që të pezullojë punën për nënshkrimin e një marrëveshje të tregtisë së lirë me Ukrainën, për shkak të mungesës së një “angazhimi të qartë” prej presidentit Viktor Yanukovych.

Vendimi i Brukselit për të larguar nga tryeza e bisedimeve këtë marrëveshje vjen ndërsa prej dy javësh tashmë, rrugët e Kievit janë pushtuar nga protestuesit që kërkojnë afrimin me Europën.

Mbetet për t’u parë nëse vendimi i së dielës do të ndikojë për shuarjen e manifestimeve apo për rritjen e lëvizjes opozitare në Ukrainë.

Marrëveshja e tregtisë së lirë, e kushtëzuar me lirimin e ish-kryeministres së burgosur, Yulia Tymoshenko do t’i sillte Ukrainës përfitime të mëdha, duke i dhënë një shtysë të rëndësishme eksporteve të saj.

Megjithatë, presidenti Yanukovych pranoi se marrëveshja nuk do të firmosej nëse ajo do të nënkuptonte “sakrifikim të marrëdhënieve me Rusinë”.

Yanukovych shihet si një president pro-rus dhe në refuzimin e tij, presioni i Moskës besohet se ka pasur një ndikim kryesor.

E pozicionuar në lindje të Europës, në një pozicion kyç gjeografik, ish-Republika Sovjetike e Ukrainës është shndërruar sipas ekspertëve në një “fushëbetejë” strategjike ku përplaset interesat e Bashkimit Europian me ato të Federatës Ruse.

Top Channel