Shkatërrimi i arsenalit sirian

14/12/2013 00:10

Pentagoni po përgatitet të testojë sistemin, që do të përdoret për të shkatërruar rezervat e armëve kimike të Sirisë, në det.

Zyrtarë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes po japin garanci, se operacioni i asgjësimit nuk do të ketë asnjë rrezik.

Disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk pranuan ofertën për të bërë shkatërrimin e këtyre armëve në territoret e tyre. Në bordin e anijes “Cape Ray” po ngarkohen pajisje për të neutralizuar gazet sarin dhe mustard.

Zëdhënësja e Pentagonit, Xhenifer Elzea, shpjegon se “SHBA kanë shkatërruar më shumë se 90% të arsenalit të armëve kimike nga koha e luftës së ftohtë. Vazhdojmë ta bëjmë – tha ajo – me të njëjtën teknologji, që kemi në plan të përdorim në anije, për të shkatërruar armët kimike të Sirisë”.

Procesi funksionon duke i neutralizuar kimikatet nga përzierja e tyre me ujë dhe substanca të tjera. Deril Kimball, që drejton Shoqatën për Kontrollin e Armëve Kimike, që kundërshton shkatërrimin në masë, thotë se “një prej arsyeve, që po ndiqet alternativa e shkatërrimit në det është se afatet janë tepër të ngutshme”.

Zyrtarët amerikanë thonë se “procesi, megjithëse nuk është provuar në bordin e një anije, është i sigurt”. Sipas tyre, kjo nuk bëhet për të anashkaluar rregullat mjedisore të njëe vendi. Ende nuk dihet se ku do të përpunohen mbeturinat, që do të dalin nga procesi i asgjësimit.

Zyrtarët e OKB-së janë duke shqyrtuar oferta nga më shumë se 40 kompani në vende të ndryshme të industrializuara.

Eksperti Paul Uoker, i Kryqit të Gjelbër, duke folur me “Skype” për Zërin e Amerikës tha se “neutralizimi i armëve në det është një ide e mirë. Por, ai bëri thirrje për kujdes në përpunimin e mbetjeve”.

Zyrtarët e Pentagonit thonë se, pasi armët të jenë neutralizuar, mbeturinat do të dërgohen në një objekt në tokë për t’u përpunuar, në të njëjtën mënyrë siç përpunohen edhe materialet e tjera të rrezikshme. Sipas marrëveshjes së arritur, të gjithë armët kimike duhet të largohen nga Siria më 31 dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA