SHBA, shmanget sulmi terrorist në Kansas

14/12/2013 00:00

Një person është arrestuar në Kansas të Shteteve të Bashkuara, nën akuzën e planifikimit për të shpërthyer një makinë-bombë në një aeroport.

Lajmin e bënë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave 58-vjeçari Terry Lee Loewen akuzohet se synonte të përdorte një armë të shkatërrimit në masë.

Zoti Loewen, një teknik i aviacionit, nuk rezulton të jetë anëtarësuar me ndonjë grup fetar ekstremist, deklaroi policia amerikane. Autoritetet saktësuan se ai u demaskua nga një agjent sekret i FBI-së dhe se publiku nuk ka qenë asnjëherë në rrezik.

“Nuk ka pasur depërtim në aeroport dhe në asnjë moment siguria e udhëtarëve apo personave të tjerë nuk ishte në rrezik”, deklaroi prokurori i Kansasit, Barry Grissom.

Përveç planifikimit të atentatit, Loewen akuzohet nga prokuroria edhe për tentativë të prishjes së pronës private dhe për përpjekje për të furnizuar me material një organizatë të huaj terroriste. Nëse dënohet ai rrezikon të përballet me burgim të përjetshëm.

Autoritetet e arrestuan 58-vjeçarin ditën e premte pasi ai u përpoq të hynte në pistën e aeroportit dhe të drejtonte një makinë të mbushur me lëndë eksplozive.

Departamenti amerikan i Drejtësisë deklaroi ndërkohë se ai kishte kaluar muaj duke hartuar planin e tij. “Ai planifikonte të shpërthente eksplozivin dhe të vdiste në shpërthim”, thuhet në një deklaratë të DAD.

Top Channel