SHBA-Kinë, anijet luftarake në rrezik përplasjeje

14/12/2013 02:35

Një anije e Marinës amerikane, hedhëse e raketave cruiser, ndërmori veprime evazive për të evituar përplasjen me një anije luftarake kineze, në Detin e Kinës Jugore, në atë që disa burime e quajtën një veprim tepër të pazakontë dhe të qëllimshëm nga Kina, bën të ditur CNN.

Incidenti i së premtes, që u zgjidh në mënyrë paqësore, ishte shenja e fundit e tensioneve mbi kontrollet territoriale të pretenduara, në të tashmen dhe të kaluarën, nga Kina në rajon, përfshi ujrat ndërkombëtarë dhe zgjerimin e hapësirave ajrore.

Zëvendës/presidenti Joe Biden i bëri presion Pekinit javën e kaluar mbi këtë çështje, që rrjedh nga një mosmarrëveshje prej kohësh me Japoninë, teksa së fundi janë përshkallëzuar tensionet.

Disa zyrtarë ushtarakë amerikanë kanë konfirmuar detajet e incidentit në det të hapur, përfshi “USS Cowpens”, e cila sapo është ndërtuar. Anija luftarake amerikane, që sipas zyrtarëve amerikane ndodhej në ujrat ndërkombëtarë, u kontaktua nga një anije e Marinës kineze. Anija e vogël ishte shkëputur nga një grup anijesh të Marinës kineze, ku bën pjesë edhe aeroplanmbajtësja Liaoning.

Anija kineze dështoi të ndalonte, pavarësisht paralajmërimeve në radio nga “Cowpens” se kinezja po i afrohej së tepërmi amerikanes.

“Kryekomandanti i Cowpens lëshoi më pas një urdhër për ndalimin e të gjitha anijeve të tjera, kur këto të fundit u gjendën më pak se 0,28 milje detare (450 metra) nga anija amerikane, tha zyrtari i Marinës amerikane. Anija kineze vazhdoi më tej duke e kaluar “Cowpens”.

“Është thuajse e pazakontë, që të të duhet të bësh veprime evazive në det të hapur, për të shmangur përplasjet”, shtoi zyrtari.

Ndërkohë që anijet detare nga vendet e tjera afrohen shpesh duke vëzhguar njëra-tjetrën, SHBA-të e konsiderojnë këtë rast si një prej atyre që mund të kishin çuar në një përplasje, për shkak të kohës dhe distancës që i nevojitet një anijeje luftarave amerikane për t’u ndalur.

“Kinezët e dinin se çfarë po bënin”, tha një tjetër zyrtar ushtarak amerikan.

Gjatë përballjes, komunikimet në radio u ruajtën aktive mes komandantëve amerikanë e kinezë. “Komunikimi ishte profesional”, tha zyrtari i dytë.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranojnë hapur, “Cowpens” ndodhej në një pozicion vëzhgimi ndaj Liaoning, që mund të përbëjë një çështje sensitive për kinezët. Zyrtarët amerikanë këmbëngulin se “Cowpens” qëndroi në ujrat ndërkombëtarë gjatë gjithë kohës.

Top Channel