Sanksionet, Irani ndal bisedimet bërthamore

14/12/2013 03:10

Irani ka ndalur bisedimet bërthamore me 6 fuqitë kryesore të botës, pasi Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar listën e zezë të sanksioneve ndaj tyre, duke akuzuar Uashingtonin se po veprojnë kundër frymës, që ekzistoi gjatë arritjes së marrëveshjes historike mbi programin bërthamor të muajit të kaluar.

SHBA-të, të enjten, shtuan kompani të reja dhe individë të rinj në listën e atyre që janë prekur nga sanksionet, të cilat synojnë të pengojnë Teheranin në krijimin e aftësive për të prodhuar armët bërthamore.

“Jemi duke vlerësuar situatën dhe Irani do të reagojë sipas rrethanave ndaj sanksioneve të reja të vendosura kundrejt 19 kompanive dhe individëve. Ky veprim është në kundërshtim me frymën e marrëveshjes së Gjenevës”, tha Abbas Araghchi, zv/ministër i Jashtëm i Iranit, për agjnecinë iraniane të lajmeve, Fars, të premten.

Araghchi, i cili është gjithashtu një anëtar i ekipit negociator të Teheranit për bërthamoret, iu referua marrëveshjes së përkohshme të 24 nëntorit me vendet e P5+1 (Britani, Kinë, Francë, Rusi dhe SHBA), sipas së cilës Irani do të ndalte programin e tij bërthamor në këmbim të një frymëmarrjeje të kufizuar nga sanksionet ekonomike e tregtare, përgjatë 6 muajve të ardhshëm. Marrëveshja e përkohshme u pa si një hap përpara drejt një marrëveshjeje përfundimtare të mundshme.

Gjithsesi, një zëdhënës i Catherine Ashton, shefja për politikën e Jashtme të BE-së, e cila përfaqëson fuqitë botërore në bisedime, tha se të dy palët ishin nisur për në vendet e tyre për konsulta dhe se ajo priste që bisedimet në Vjenë të rifillonin së shpejti.

“Pas 4 ditë bisedimesh të gjata dhe të detajuara, ku reflektuam mbi kompleksitetin e çështjeve teknike të diskutuara, u bë më se e qartë se duhej ende punë për t’u bërë përpara”, tha Michael Mann.

John Kerry, Sekretari amerikan i Shtetit, duke folur nga Jeruzalemi gjatë së premtes, tha se ai priste që bisedimet bërthamore të vazhdonin në ditët në vijim. Ai shtoi se bisedimet ishin ndalur tani për tani, sepse të dyja palët kishin nevojë për t’u konsultuar dhe për të pushuar disi”.

Shtëpia e Bardhë tha se zgjerimi i sanksioneve ekonomike për të mbuluar disa kompani shtesë nuk e shkel marrëvesjen e 24 nëntorit. Zëdhënësi Jay Carney tha se presidenti Barack Obama është i vendosur t’i shmangë sanksionet e reja lidhur me programin bërthamor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA