Itali, jo më fonde shtetërore partive

14/12/2013 00:00

Partitë politike në Itali nuk do të financohen më nga shteti dhe auditimi i gjendjes financiare të tyre do të bëhet nga jashtë, në bazë të planeve të reja të prezantuara ditën e premte.

Kryeministri Enrico Letta deklaroi se sistemi i ri do të shmangë skandalet e verifikuara në vitete e fundit dhe taksapaguesit do të jenë në gjendje të zgjedhin nëse të financojnë ose jo partitë.

Pas këtij njoftimi, lideri i Lëvizjes 5 Yjet, Beppe Grillo i bëri thirrje partisë së zotit Letta që të kthejë fondet që ka marrë nga shteti.

Zoti Letta tha se dekreti i lëshuar të premten do të plotësojë premtimin e bërë prej tij në zgjedhje për të eleminuar financimin e partive nga shteti brenda vitit.

Gjithësesi, zoti Grillo e cilësoi lëvizjen në fjalë si një “shaka”, duke shkruar në blogun e tij: “Për të hequr dorë nga paratë publike mjafton të mos i marrësh ato, sikurse ka bërë Lëvizja 5 Yjet”.

Në bazë të sistemit të ri, italianët tani do të kenë mundësi të caktojnë 0.2 për qind të të ardhurave vjetore për partinë që duan. Nëse ata vendosin të mos financojnë partinë, atëherë paratë do të shkojnë për shtetin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB