Cannon: Gjakmarrja, u bë industri

14/12/2013 00:00

Ambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë, Nicholas Cannon theksoi se në Shqipëri është zhvilluar ajo që ai e quajti industri me gjakmarrjen, një biznes, që sipas tij ka krijuar një imazh të dhunshëm të vendit në Europë.

Gjatë tryezës me temë “Gjakmarrja dhe sfidat e drejtësisë” organizuar në Shkodër, Ambasadori Britanik kërkoi që të bëhet një punë më serioze në lidhje me këtë cështje.

“OJQ në këtë vend kanë përfituar duke shfrytëzuar këtë temë për të marrë fonde ndërkombëtare. Cdo vit emigrantët përpiqen të kërkojnë azil në vendet perëndimore me historira të komplikuara të gjakmarrjes, shumica prej të cilave unë besoj që janë të pavërteta. OJQ dhe zyrtarët e qeverisjes vendore kanë zhvilluar një biznes me të ashtuquajturat certifikata të gjakmarrjes”, tha ambasadori Cannon.

Nga krahu i tij, kryeprokurori Adriatik Llalla tha se është urdhëruar hapja e dosjeve të vjetra, që do të sjellë më shumë qartësi në lidhje me këtë cështje dhe me punën e prokuorëve.

“Njëherëzai në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm do t’u bëj të ditur drejtuesve dhe prokurorive të rretheve veriore të vendit, një mesazh që e përcjell nga kjo sallë, se puna e tyre, do të vlerësohet krahas të tjerave, kryesisht edhe mbi forcën kundër krimit të vrasjes e cila më pas gjeneron fenomenin e gjakmarrjes. Tashmë është urdhëruar rihapja e dosjeve të vjetra pa autor, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të autorëve”, tha zoti Llalla.

Ndërsa Avokati i Popullit, Igli Totozani qëndroi tek fakti se rritja e numrit të azil-kërkuesve lidhur me gjakmarrjen mund të ndikojë në vendimin për libralizimin e vizave me Shqipërinë.

“Shumë shpejt Avokati i Popullit, duke falenderuar edhe disa Ambasada të vendeve mike europiane, do të nxjerrë një raport mbi numrin e azil-kërkuesve shqiptarë në vendet perëndimore që nga momenti i liberalizimit të vizave si dhe të shkaqeve më të shumta që i cojnë shqiptarët të kërkojnë azil në vendet perëndimore, gjë që do të ndihmojë besoj organet vendimmarrëse shqiptare për të trajtuar zemrën e këtyre problemeve”, tha zoti Totozani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA