Siri, OKB: Armët kimike, të paktën në 5 raste

13/12/2013 01:30

Hetuesit e OKB-së kanë bërë të ditur në raportin e tyre se armët kimike “me shumë mundësi” janë përdorur në 5 nga 7 vendet e vrojtuara në Siri. Në dy raste, armët kanë pasur për shënjestër ushtarët, ndërsa në një rast të tretë ushtarët dhe civilët, thuhej në raport.

Raporti i nxjerrë prej tyre nuk ka përcaktuar nëse ka qenë qeveria apo rebelët, ata që kanë përdorur armët kimike. Inspektorët patën konfirmuar gjithashtu se gazi vdekjeprurës nervor, sarini, ishte përdorur në sulmin pranë Damaskut më 21 gusht, ku mbetën të vdekur qindra persona.

Në raport thuhej se ka prova se armët kimike janë përdorur në Ghouta, Khan al-Assal, Jobar, Saraqueb dhe Ashrafieh Sahnaya. Gjithsesi, inspektorët thanë se ata nuk mund të vërtetojnë përdorimin e tyre në incidentet në Bahariyeh dhe Sheik Maqsood.

Gjetjet e tyre janë bazuar në vlerësimin e provave të gjetura në vende të ndryshme, përfshi në gurët në sipërfaqe të tokës, mostrat mjekësore dhe në intervistimet e viktimave por dhe të mjekëve të klinikave shëndetësore.

Të premten, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, pritet të informojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi raportin e inspektorëve në një seancë me dyer të mbyllura.

Pas sulmit në rajonin e Ghouta-s pranë Damaskut, presidenti sirian Bashar al-Assad lejoi inspektorët ndërkombëtarë të fillonin shkatërrimin e armëve kimike, nën kontrollin e qeverisë siriane, bazuar mbi marrëveshjen SHBA-Rusi.

Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) konfirmoi muajin e kaluar se disa prej armëve do të “neutralizohen” në bordin e një anije të Marinës amerikane. Operacionet në bordin e saj duhet të përfundojnë në fund të vitit, sipas OPCW.

Gjithsesi, të hënën, kreu i OPCW paralajmëroi se do të jetë “thuajse e vështirë për t’u arritur” afati i 31 dhjetorit për transportimin e lëndëve kimike më toksike jashtë Sirisë.

Top Channel