Përkthyesi i gjuhës së shenjave për personat e shurdhër, i përqeshur gjerësisht për performancën e tij në memorialin e Nelson Mandelës, jep shpjegime mbi punën e tij.
Thamsanqa Jantjie tha të enjten se ai është një përkthyer i kualifikuar, të cilit i është besuar i njëjti rol edhe në evente të tjera madhore.
“Prej shumë vitesh jam duke bërë këtë punë, – tha ai për CNN. – Eksperienca ime tregon se kam qenë një kampion i këtij funksioni që kam kryer”. E megjithatë, një kundërshtim vjen nga kreu i Institutit të Përkthyesve në Afrikën e Jugut.
Ka pasur pakënaqësira vitin e kaluar, kur Jantjie përktheu gjatë mbledhjes në konferencën zgjedhore të partisë në pushtet, Kongresi Kombëtar Afrikan, tha kreu i institutit, Johan Blaauw, për Shoqatën e Shtypit afrikano-jugor.
Megjithatë Jantjie këmbëngul për punën e tij. “Nuk ka pasur ndonjëherë diçka në jetën time, të cilën e kam interpretuar gabimisht”, tha ai.
“Sa i përket shoqatës së të shurdhërve, nëse ata mendojnë se kam bërë ndonjë përkthim të gabuar, u kërkoj të gjithëve falje. Nëse ata më thonë se bëra një përkthim të gabuar, atëherë ata duhet të më përgjigjen se pse qëndruan të heshtur gjatë gjithë kësaj kohe, përgjatë gjithë këtyre viteve”, tha ai, duke iu referuar Federatës së të Shurdhërve të Afrikës së Jugut, e cila e ka kritikuar punën e tij në shërbesën e Mandelës.
Jantjie refuzoi të jepte detaje mbi punësimin për 4 orë në memorialin, që u ndoq nga miliona njerëz anembanë botës, teksa një hetim qeveritar ka nisur mbi këtë çështje. Ai tha se ishte tërhequr nga puna si përkthyes, për shkak se ishte një person me aftësi të kufizuara.
“Vuaj nga skizofrenia, e cila është një sëmundje e kontrollueshme. Jam duke marrë trajtime”, tha Jantjie. Në një konferencë për shtyp, gjatë së enjtes, Hendrietta Bogopane-Zulu, zv/ministrja afrikano-jugore për gratë, fëmijët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara, pranoi se ka pasur gabime në shërbesën përkujtimore, por shtoi se Jantjie nuk ishte një “mashtrues”.
Ajo tha se në Afrikën e Jugut nuk ka një standard të gjuhës së shenjave, pasi personat e shurdhër flasin me dialekte të ndryshme. Më pas shtoi se qeveria ka nisur hetime në lidhje me verifikimin e çertifikatës së sigurisë së Jantjie në memorial.
“Sigurisht që, kur ofron një shërbim në një nivel të caktuar, kushdo verifikohet. Siç mund të shihni, ai ishte i akredituar, kështu që ai nuk kishte hyrë gabimisht në shërbesë”, tha ajo. Bogopane-Zulu tha gjithashtu se qeveria gjurmoi edhe kompaninë për të cilën Jantjie kishte punuar, por pronarët “duken se janë zhdukur”.
“Arritëm të takoheshim me ta e të flisnim, duke dashur disa shpjegime, por ata ‘humbën nga kjo botë’”, tha ajo. “Ata kanë ofruar shërbime të rëndomta prej vitesh”.
Top Channel