Hetimet të çojnë në Vlorë?

13/12/2013 00:00

“Është nder dhe privilegj i madh për mua që marr detyrën e prefektit të Vlorës. Unë këtu shoh të gjithë ekipin që bëri të mundur rilindjen e të gjithë Vlorës dhe gjithë Shqipërisë dhe së bashku do punojmë për ta realizuar”.

Kjo ishte deklarata e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi dhënë më datë 12 tetor, gjatë ceremonisë së prezantimit të tij para qytetarëve të Vlorës.

Pas zbulimit të eksplozivit në automjetin e tij dhe veprimeve intensive hetimore, pyetja që po përpiqen të zbardhin hetuesit është: A ka lidhje kjo ngjarje me qytetin e Vlorës? A ka lidhje kjo vepër penale me detyrën e tij si prefekt i këtij qarku?

Prokurorët s’dinë t’i japin ende përgjigje, ndërkohë që Top Channel pyeti në Prokurorinë e Vlorës nëse prefekti Besnik Dervishi është ankuar ndonjëherë për ndonjë konflikt.

Përgjigjia është se prefekti nuk ka denocuar dhe as kallëzuar ndonjë përplasje të mundshme pranë Prokurorisë së Vlorës. E njëjta përgjigje vjen edhe nga Prokuroria e Tiranës, e po kështu edhe nga Prokuroria e Përgjithshme.

Megjithatë, organi i hetimit dyshon paraprakisht se vendosja e lëndës plasëse në automjetin e Dervishit ka shumë mundësi të ketë lidhje me qytetin e Vlorës, duke qenë se ai kishte udhëtuar një ditë më parë nga Vlora drejt Tiranës e më pas e kishte parkuar automjetin gjatë natës në një parkim privat.

Pavarësisht se ky është një version që mbetet ende për t’u parë në varësi të provave që do zbulohen gjatë hetimeve, në një kohë që nuk përjashtohet mundësia e vendosjes së eksplozivit për t’i dhënë një mesazh kërcënues prefektit.

Ndërsa karta telefonike rezulton pa pronar, prokurorët kanë shpresë tek aparati celular i instaluar në mbi 200 gramë C4, për të gjetur se kush e ka përdorur më parë si edhe ku është blerë numri AMC, me anë të të cilit, sipas mekanizmit të përdorur në shpërthime të mëparshme, dikush telefonon në numrin e vendosur në pakon me lëndë plasëse duke sjellë më pas një shpërthim.

Prefekti i Vlorës, Dervishi njihet për veprimtarinë e tij politike të mëparshme si ministër i Rregullimit të Territorit, deputet i Partisë Socialiste, prefekt i Tiranës, ndërsa në karrierën e hershme edhe si gjyqtar, avokat dhe konsulent juridik.

Top Channel