Belgjikë, eutanazia edhe për fëmijët

13/12/2013 00:00

Senati belg ka votuar në favor të përfshirjes së fëmijëve me sëmundje të pashërueshme në ligjin e eutanazisë.

Senati votoi me 50 vota pro kundrejt 17 kundër në favor të legjislacionit, që kundërshtohet nga liderët fetarë në Belgjikë.

Projektligji synon t’u lejojë fëmijëve të kërkojnë aplikimin e eutanazisë, nëse sëmundja e tyre është e përhershme, ndjejnë dhimbje të forta dhe nuk kanë mundësi mjekimi.

Tani ai do të shkojë në dhomën e ulët të Parlamentit, ku korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se ka shumë gjasa që të aprovohet.

Belgjika miratoi një ligj që dekriminalizonte eutanazinë për të sëmurët mbi moshën 18-vjeçare në vitin 2002. Ndërsa projekti aktual propozon që Belgjika të bëhet vendi i parë në botë që të heqë çdo limit moshe për praktikimin e saj.

Megjithatë janë disa kushte që duhet të përmbushen:

A: Pacienti duhet të jetë i ndërgjegjshëm për vendimin dhe të kuptojë domethënien e eutanazisë;

B: Kërkesa duhet të aprovohet nga prindërit e fëmijës dhe ekipi mjekësor;

C: Sëmundja e pacientit duhet të jetë e përhershme;

D: Pacienti duhet të ndjejë dhimbje të forta;

E: Kërkesa të bëhet kur nuk ka mjekim për të lehtësuar gjendjen e pacientit.

Në nëntor, 16 mjekë pediatër u bënë thirrje ligjvënësve në Belgjikë që të aprovojnë legjilacionin, përmes një letre të hapur.

Top Channel