F1, Lotus tallet me FIA-n

12/12/2013 00:00

Komunikimi i skuderisë Lotus Renault me publikun gjithmonë është karakterizuar nga një sens humori fantastik dhe pas shpalljes së rregullave të reja për sezonin 2014, kjo skuderi ka propozuar disa të tjera.

Një prej tyre është kjo: “Skuderia që dizenjon makinën më të shëmtuar, do të humbasë 15% të pikëve që grumbullon në çdo garë.”

Lotusi ka marrë shkas nga vendimi i FIA-s që gara e fundit e sezonit të ardhshëm (Cmimi i Madh i Abu Dabit) t’i japë pilotëve dyfishin e pikëve.

Më poshtë, disa nga rregullat që Lotus Renault i ka propozuar FIA-s:

Piloti që ka ditëlindjen në ditën e provave zyrtare do të fitojë automatikisht pole-position, 10 pikë në garë dhe një vizitë në bokset e Ferrarit

Ai pilot që do të përgjigjet “sigurisht” ndaj një pyetjeje në konferencën për shtyp, do të goditet me pëllëmbë

Të gjithë shefat e skuderive duhet të thonë vetëm të vërtetën, të paktën në një nga garat e sezonit

Cdo skuderi që fton në bokse një VIP, garën e ardhshme duhet ta ketë VIP-in në fjalë në timonin e njëvendëshes

Cdo pilot që do të zhvillojë garën mbi 2 rrota, do të fitojë dyfishin e pikëve të asaj gare

Cdo pilot me emrin Sebastian Vettel duhet t’i ndërrojë vetë gomat në bokse, pa ndihmën e mekanikëve

Do të marrë dyfishin e pikëve çdo pilot që do të realizojë sharjen më të bukur ndaj skuderisë nëpërmjet radios

Top Channel