Bavaria ndalon ribotimin e “Mein Kampf”

12/12/2013 00:00

Landi i Bavarisë në Gjermani u tërhoq nga plani për të ribotuar librin “Mein Kampf” të Adolf Hitlerit, pas përfundimit të afatit ligjor që e ndalon një gjë të tillë, në vitin 2015.

Lëvizja u njoftua nga autoritetet lokale bavareze të cilat e argumentojnë atë si shenjë nderimi dhe respekti për viktimat e Holokaustit.

Landi i Bavarisë zotëron të drejtat ekskluzive të librit, i shkruajtur nga Hitleri pikërisht në një burg të Mynihut.

Prej dekadash ripublikimi i “Mein Kampf” është i ndaluar me ligj, por së fundmi ishte hedhur ideja për të botuar një edicion akademik të tij që synonte “çmitizimin” e veprës më gjakderdhëse të historisë.

Vec kësaj, autoritetet e këtij landi kanë bërë një kthesë 180 gradë duke rimarrë në konsideratë ndalimin e publikimit të librit edhe pas 2015, kur ligji aktual që e bën një gjë të tillë përfundon afatin.

Megjithatë, Instituti i Historisë Moderne në Mynih deklaroi se nuk do të hedhë në kosh projektin që i ka kushtuar rreth 500 mijë euro. Në një deklaratë të shpërndarë nëpërmjet faqes së internetit, kreu i këtij instituti, Andreas Wirsching deklaroi se do të publikojë veprën në mënyrë të pavarur, menjëherë pasi e drejta e autorësisë së landit të Bavarisë të përfundojë.

Kritikët e vendimit për ndalimin e ribotimit dhe publikimit të librit mbrojnë qëndrimin e tyre për ta lejuar atë me argumentimin se tashmë në internet gjendet pjesa më e madhe e veprës dhe se në shumë vende “Mein Kampf” është përkthyer dhe botuar (përfshirë edhe Shqipërinë).

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Gjermani aplikohen ligje të ashpra kundër rrymave ekstremiste të djathta, dhe njëra prej tyre është edhe ndalimi i emrit “Adolf” në regjistrat e gjendjes civile, që kryhet nëpërmjet gjykatave në bazë të një ligji që u njohin atyre të drejtën për t’u ndaluar prindërve t’u vendosin fëmijëve të tyre emra qesharakë që në të ardhmen mund të dëmtojnë personalitetin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB