Uruguaji miraton legalizimin e marijuanës

11/12/2013 02:30

Senati i Uruguajit ka miratuar gjatë së martës një propozim për legalizimin e marijuanës në shtetin amerikano-jugor.

Duartrokitje dhe vërshëllima janë dëgjuar në dhomën e Senatit, pas votimit të rëndësishëm në fund të një debati të zgjatur mbi projektligjin.

Masa në fjalë kishte kaluar më herët në dhomën e ulët të Uruguajit, teksa edhe presidenti Jose Mujica ishte deklaruar në mbështetje të këtij ligji.

Votimi i së martës, 16 pro dhe 13 kundër, e çon vendin edhe një hap përpara drejt të qenit i pari në botë që rregullon në mënyrë ligjore prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e drogës.

Mbështetësit e tij kanë thënë se miratimi përbën një pikë kthese dhe mund të inspirojë edhe kombet e tjera të Amerikës Latine, për të ndërmarrë të njëjtin hap.

“Është e kuptueshme se një politikë e bazuar në rregullore ka pasoja pozitive për shëndetin dhe sigurinë publike, duke pasur parasysh se, në njërën anë, ajo mund të japë rezultate më të mira, kur vjen puna tek edukimi, parandalimi, informacioni, trajtimi dhe rehabilitimi në lidhje me përdoruesit problematik të drogave”, tha senator Roberto Conde, i partisë “Fronti i Gjerë”, e cila mbështeste projektligjin.

“Në anën tjetër, ai ndihmon në luftën e trafikut të narkotikëve, që kanë qenë si ‘ushqim’ për krimin e organizuar dhe aktivitete të tjera kriminale, të cilat ndikojnë në sigurinë e popullsisë”.

Kritikët thonë se legalizimi i marijuanës mund të ketë pasoja të rrezikshme. “Ky projektligj, që propozon një eksperiment në aspektin social, siç u përshkrua në komisionin e shëndetit publik, nuk përputhet me ndonjë prej masave mbrojtëse etike të eksperimentimit me qeniet njerëzore”, tha senator Alfredo Solari, i partisë “Colorado”. “Ato masa mbrojtëse janë tejet të rëndësishme, duke qenë se po flasim për marijuanën, një substancë që dëmton qeniet njerëzore”.

Top Channel