Kongresmenët negociatorë kanë arritur një kompromis bilateral mbi buxhetin, gjatë së martës, që do të shmangë një tjetër “shutdown” të qeverisë amerikane në të ardhmen, nëse do të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.
Kreu i komitetit për buxhetin në Domë, Paul Ryan, tha të martën se marrëveshja me homologun e tij në Senat, Patty Murray, do të përcaktojë nivelet e shpenzimeve, reduktojë defiçiti, si dhe do të lehtësojë disa arbitraritete, duke detyruar shkurtime të shpenzimeve, të njohura edhe me emrin “sekuestrimi”.
Negociatorët gjetën mirëkuptimin vetëm pak ditë para afatit përfundimtar të së premtes, për të zgjidhur këtë çështje. “Kemi arritur të thyejmë kështu përkatësitë partiake dhe bllokadën”, tha Murray. Ryan shtoi se marrëveshja ishte “një përmirësim i qartë” i ‘status quo’-së.
“Kjo marrëveshje na siguron që të mos kemi më skenare ‘shutdown’-i gjatë muajit janar, siç ndodhi në muajin tetor. Ajo na siguron neve, që të mos baltosemi nga kriza në krizë”, tha republikani i Wisconsin.
Presidenti Barack Obama e quajti këtë zhvillim një hap të parë shumë të mirë. “Kjo marrëveshje nuk përfshin gjithçka do të doja të përfshinte. E di se edhe shumë republikanë mendojnë të njëjtën gjë si unë. Por, kjo është natyra e kompromisit. Megjithatë, është një shenjë e mirë se demokratët dhe republikanët në Kongres patën mundësi të bashkoheshin dhe të thyenin ciklin e vendimmarrjeve të pamenduara dhe të prirura për krizë, duke arritur në këtë marrëveshje”, tha Obama përmes një deklarate.
Por, a do ta miratojë Kongresi atë? Si Dhoma, edhe Senati mund të bazohen mbi të, por kundërshtarët në të dy partitë ngritën menjëherë shqetësime mbi marrëveshjen, e cila, nëse kalohet nga Kongresi, do të shënonte një largim të rëndësishëm nga krizat e përsëritura buxhetore gjatë viteve të fundit.
Top Channel