Ndërpriten ndihmat për rebelët sirianë

11/12/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe ndërprenë ndihmat joluftarake për rebelët në veri të Sirisë. Vendimi u mor pas marrjes së një baze të “Ushtrisë së Sirisë së Lirë” nga grupet ekstremiste të rebelëve që luftojnë gjithashtu ndaj forcave të Basha al Assad.

Lajmi u njoftua nga një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Turqi, pasi luftëtarët e “Frontit Islamik”, një aleancë e grupeve ekstremiste, morën nën kontroll bazën e Bab al-Haëa në veri të vendit, pranë kufirit me Turqinë.

Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Ankara saktësoi se pavarësisht kësaj, ndihma humanitare në ushqime dhe medikamente mjekësore nuk do të preket dhe do të vazhdojë për qindra-mijëra sirianët në nevojë.

Ndihmat humanitare amerikane shpërndahen nëpërmjet organizatave joqeveritare, ndërsa pjesa tjetër e tyre, që përfshinin ndihma joluftarake për rebelët e “Ushtrisë Siria e Lirë” dërgohej ekskluzivisht për luftëtarët e këtij formacioni të armatosur.

Së fundmi, ushtria e presidentit Bashar al Assad ka përparuar në disa pjesë të vendit duke rimarrë kontrollin, kjo falë edhe përcarjes së grupeve të armatosura të opozitës, në radhët e së cilës janë rreshtuar edhe ekstremistë si “Ahrar al-Sham”, “Jaysh al-Islam”, “Soqour al-Sham”, “Liwa al-Tawhid”, “Liëa al-Haqq”, “Ansar al-Sham dhe “Fronti Islamik i Kurdëve”.

Që të gjitha këto grupe kanë formuar një front të tyrin kundër Assad dhe të ndarë nga “Ushtria e Sirisë së Lirë”, me të cilën në shumë raste edhe përplasen në terren.

Pak pas marrjes së bazës pranë kufirit turk, “Fronti Islamik” deklaroi se ishte një “formacion politik, social dhe ushtarak i pavarur që synonte ngritjen e një shteti islamik në Siri.

Fronti në vetvete nuk përfshin grupet e lidhura me Al Kaedan si al-Nusra apo “Islamik State of Iraq”, por “mirëpret luftëtarët e huaj dhe ndihmën e tyre në xhihad”.

Mbi 100 mijë persona kanë humbur jetën në Siri që nga nisja e konfliktit dy vjet më parë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nëpër kampet e ngritura në vendet fqinje si Jordani, Irak, Liban dhe Turqi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB