Champions, Milan kalon, Napoli ngelet jashtë

11/12/2013 00:00

Nata e fundit e ndeshjeve të fazës me grupe ka dhuruar rezultate surprizë, të gëzueshme për disa, por të hidhura për të tjerë.

Në 1/8-at e Champions League kualifikohet vetëm një skuadër italiane, vetëm kuqezinjtë e Milanit, pavarësisht se kaluan përmes shumë vuajtjesh dhe duke luajtur për rreth 70 minuta me 1 lojtar më pak. Ndaj Ajaksit, “djallit” i mjaftoi një barazim pa gola në “San Siro”, por ky rezultat, edhe për meritë të Abbiati-t.

Rreziku i parë erdhi nga Poulsen në minutën e 5, kur u godit edhe shtylla në të djathtë të Abbiati-t. Në minutën e 22, arbitri ndëshkon me karton të kuq Montolivo-n, për një ndërhyrje të gabuar ndaj danezit, ndërsa më pas portieri kuqezi shpëton dy herë portën nga Klaassen. Në minutën e 6 shtesë, një tjetër rast i shpërdoruar nga Fischer, teksa më pas nis festa për Milanin.

Në grupin H, Barcelona luan “tenis” me Celtic në “Camp Nou”. Neymar shënon “tripletë”, teksa në gol përfunduan edhe Pique, Pedro e Tello, ndërsa greku Samaras shënon golin e nderit për Celtic, i cili i jep fund aventurës në Europë, pasi holandezët e Ajaksit kalojnë në Europa League.

Në grupin F, atë të cilësuar si “grupin e ferrit” kur u hodh shorti, ka ndodhur gjithçka mundej. Tri skuadra me nga 12 pikë, por vetëm 2 bileta për në raundin e 1/8-ave, të cilat u takojnë Dortmundit e Arsenalit, ndërsa Napoli përfundon në Europa League.

15-20 minutat e fundit kanë qenë dramatike, në të dy kampet ku luheshin ndeshjet e këtij grupi. Ndërkohë që Dortmundi ishte duke barazuar 1-1 me Marseille, Napoli arrin të kalojë në avantazh ndaj Arsenalit, një rezultat që shihte të kualifikuar Arsenalin në vend të parë dhe italianët në të dytin.

Por, goli i Grosskreutz për gjermanët, finalist i Champions-it të vitit të kaluar, ndryshoi të gjitha planet: Dortmundi kualifikohet si i pari në grup dhe Arsenali zbret në vendin e dytë. Fatkeqësi për 12 pikët e Napolit, që pavarësisht golave të Higuain dhe Callejon, nuk shkojnë më shumë se sa Europa League.

Chelsea dhe Schalke janë dy ekipet e kualifikuara nga grupi E. Londinezët e Mourinho-s shënojnë një gol me Demba Ba shumë shpejt dhe më pas nuk ndryshon asgjë deri në fund të takimit, duke siguruar kështu vendin e parë në grup, ndërsa Schalke hasi vështirësi ndaj Bazelit, edhe pse zvicerianët u ndëshkuan me të kuq në fund të pjesës së parë. Në të dytën, Draxler dhe Matip i japin kualifikimin gjermanëve, si ekip i dytë në grup, ndërsa Bazeli përfundon në Europa League.

Në grupin G, Zenit St Petersburg humbet me austriakët e Austria Vienna 4-1, por i është falur Atletico Madrid, që mposhti në Spanjë fqinjët portugezë të Portos. Madrilenët e kishin siguruar biletën shumë herët, ndërsa Porto e sheh veten në Europa League tashmë, pasi në Champions do të vazhdojë ekipi i Spalleti-t.

Shorti për 1/8-at e Champions League do të hidhet në Nyon të Zvicrës, ditën e hënë, në orën 12:00. Ndeshjet e raundit të ardhshëm do të zhvillohen në datat 18/19 shkurt dhe 25/26 shkurt, ndërsa çerekfinalet do të luhen në datat 11/12 mars dhe 18/19 mars. Në shortin e radhës, asnjë klub nuk mund të luajë kundër rivalëve që kanë pasur në grup, apo kundër ekipeve të të njëjtit shtet.

Top Channel