Antikorrupsioni dhe Berisha në kërkim të një… puçi?

11/12/2013 00:00

Andrea Stefani – Ashtu sikundër ishte lehtësisht e parashikueshme,
lideri real i PD-së, Sali Berisha, është vënë në kërkim të ethshëm të
një preteksti që do të justifikonte deri edhe përdorimin e dhunës për
përmbysjen e Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij të sapovotuar,
në zgjedhjet më të mira deri më sot, nga një shumicë dërrmuese prej 1
milion shqiptarësh.

Përveç natyrës së pandryshueshme prej autokrati, që nuk mësohet dot me qenien jo në pushtet, ajo çka e ndez më shumë ethen e Berishës për revansh sa më urgjent, është frika nga ngritja e një batice antikorrupsion që tashmë shihet edhe më qartë. Dy ditë më parë, Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes, deklaroi ngritjen e akuzave për korrupsion ndaj paraardhësit të saj në këtë post, Arben Imami. Dhe nuk është fare rastësi, por qartazi taktikë për të shpëtuar veten dhe klanin e tij, që thuajse në sinkron me këtë lajm, Berisha bën thirrje që tentojnë të frymëzojnë një përmbysje të qeverisë së Edi Ramës. Thotë se do të shpëtojë Shqipërinë nga komunizmi, por në të vërtetë kërkon të shpëtojë veten nga antikorrupsioni.

***

Nuk është e para herë që ndodh kështu me Berishën. Një taktikë të tillë për bllokimin e drejtësisë ndoqi Berisha edhe në vitin 1997, kur sapo kish rënë nga pushteti dhe kur prokuroria kish arrestuar 6 politikanë të PD-së lidhur me ngjarjet e atij viti, që ka hyrë në historinë e Shqipërisë si i mbrapshtë, pikërisht për shkak të Berishës. Duke e ndier se hetimi, gjykimi dhe dënimi i “të gjashtëve” kish më shumë gjasa të ishte edhe prologu i hetimit dhe gjykimit të tij, Berisha vendosi të hidhej në sulm për ta parandaluar bërjen e drejtësisë me destabilitet politik. Nisi të organizojë protesta të përditshme e të përnatshme, duke hedhur edhe shishe me benzinë mbi godinat e institucioneve. Kryeparulla e atyre protestave ishte “ta shporrim qelbësirën”. E kishin fjalën për Kryeministrin Fatos Nano. E megjithatë, nevoja e fshehtë e Berishës, si dhe sharjet për Nanon nuk ishin argument për largimin e parakohshëm të socialistëve nga pushteti. Një Kryeministër nuk mund të largohet vetëm pse ty të teket ta shash “qelbësirë”. Berishës i duhej një incident, një ngjarje tragjike, mundësisht një arkivol që të justifikonte dhunën kundër qeverisë, që të justifikonte përmbysjen me dhunë të një qeverie të ardhur me votë. Dhe çfarë fati për Berishën! Pikërisht në këto momente (saktësisht në shtator ’98) vritet, si me porosi, Azem Hajdari. Ka shumë zëra që thonë e shkruajnë se ka qenë pikërisht Berisha që ka inspiruar eliminimin e Hajdarit. Një nga këta është edhe Marjan Gryka, një nga besnikët e Azemit, që dy ditë më parë deklaroi se posedon edhe disa video që implikojnë Berishën në këtë vrasje. “Saliu u soll si Jago me Azemin… E kam thënë dhe e përsëris me bindje që ai inskenoi skenarin e eliminimit fizik të Azemit, pas 7 vitesh luftë morale, politike e fizike kundër tij” – sapo ka deklaruar Gryka. Deklaratë e ashpër, por gjithsesi ende jo një fakt. Dhe është për këtë arsye që Berisha vazhdon të vërë lule në varrin e Azemit.

***

Nuk është as i pari dhe as i fundit rast që faktet e një vrasjeje politike mbeten në mister. Veç ajo që nuk mund të fshihet dot është logjika e ngjarjeve që pasuan. Që nga koha e Ciceronit për të tilla ndodhi shtrohet pyetja: Kush përfitoi prej saj? Dhe në rastin konkret përgjigjja është evidente: Sali Berisha. Me pretekstin e vrasjes së Azemit nga Kryeministri Nano, Berisha frymëzoi një puç të armatosur mbi godinën e Kryeministrisë dhe atë të Radiotelevizionit Publik. E bëri të arratisej jashtë shtetit Kryeministrin Nano, por nuk e mbajti dot pushtetin, për shkak të reagimit të ndërkombëtarëve. Ata nuk mund të toleronin ndërrimin e pushtetit me dhunë. E megjithatë përfitimi i Berishës ishte jo i paktë. Ia arriti ta stopojë drejtësinë si për ngjarjet e vitit ’97 ashtu edhe për korrupsionin e qeverisjes së PD-së. E si mund të kuturisin socialistët të dërgonin në prokurori dosje për grushtin e shtetit apo për korrupsionin e Berishës e K°, kur ishin vetë ndërkombëtarët që këmbëngulnin se po të hetohet Berisha, prishet stabiliteti? Qeveria socialiste hoqi dorë nga antikorrupsioni dhe prandaj u korruptua edhe vetë. Pandëshkueshmëria e elitave qeverisëse, që vazhdon si kancer edhe sot e kësaj dite, i ka rrënjët pikërisht në vitin ’98.

***

Tani, pasi e shikon veten përsëri në opozitë, Berisha i rikthehet përsëri skenarit të njohur “ta shporrim qelbësirën!”. Bën paralelizma vulgare deri edhe me Ukrainën, dhe betohet e stërbetohet se është i gatshëm të përmbysë bijtë e bllokmenëve. Është qesharake të shikosh se si ky komunist “antikomunist”, nga ata të rrezikshmit që përmend Havel dhe që nuk arriti të bëhet ish-komunist, etiketon si bllokmen Edi Ramën. Por të gjithë e dinë se Rama është deklaruar kundër Enver Hoxhës shumë më parë se Berisha ose më saktë, në kohën kur Berisha u bënte akoma thirrje shqiptarëve për të brohoritur Ramiz Alinë! Por Berisha nuk ka rrugë tjetër. Për të dhe klanin e tij, është jetike të ndalë antikorrupsionin dhe drejtësinë. Për këtë i duhet një kauzë. Dhe nuk ka ku e gjen këtë kauzë veçse tek “antikomunizmi”. Shpreson të mobilizojë edhe një herë të fundit shqiptarët kundër “bijve të bllokut” që qenkan rikthyer në pushtet. Gati sa nuk thotë, madje po e thotë pak nga pak, se në Shqipëri është rikthyer diktatura komuniste. Këtë mashtrim publik lakmojnë frazat mbi “shtetin policor” apo “rënien e shtetit ligjor”. I bën këto akuza pikërisht në momentin kur BE-ja shfaqet më e gatshme se kurrë t’i japë kësaj “diktature komuniste” statusin e kandidatit. Berisha e rrok që ndodhet në disavantazh. Është i detyruar të bllokojë antikorrupsionin në një moment kur ndërkombëtarët nuk këshillojnë më të sakrifikohet drejtësia dhe antikorrupsioni për hatër të stabilitetit. Madje po këmbëngulin për ndëshkimin e “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit. Një sugjerim që jo pak shqiptarëve, i sjell ndërmend pikërisht Berishën dhe ministrat e tij. Antikorrupsioni në nivelet më të larta të shtetit, po shpallet kusht për integrimin dhe Berisha është në anën e korrupsionit. Nuk mund të dalë dot hapur. E kupton që demonizimi i antikorrupsionit si “gjueti shtrigash”, nuk do të mjaftojë. Vetëm largimi i kësaj qeverie mund ta shpëtojë. Dhe në ankth kërkon një pretekst, një kob, një delikt që të përligjë “uraganin”. Do të dëshironte të importonte situatën e Ukrainës. Po për dreq qeveria shpreh vullnet të qartë për integrim. I dëshpëruar e kupton se nuk ka alternativë tjetër veç t’i rikthehet “antikomunizmit”. Prandaj kapet pas një episodi banal me një fotografi të Enver Hoxhës si i mbyturi pas fijes së barit. Vetëm tek Enveri e ka shpresën…

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA