Ukrainë, Biden nxit Yanukovych për bisedime

10/12/2013 03:25

Protestuesit në Ukrainë mbetën ende të vendosur për të vazhduar demonstratat masive kundër presidentit Viktor Yanukovych, pas kthesës së vendit nga Bashkimi Europian drejt Rusisë, edhe gjatë së hënës, në të njëjtën ditë kur persona të maskuar sulmuan selinë e partisë opozitare, siç bëri të ditur lideri Arseniy Yatsenyuk.

“Anëtarë të forcave speciale shkatërruan tërësisht dhomën e serverit”, tha ai. “Pajisjet u shkatërruan e janë zvarritur përgjatë gjithë ambienteve të selisë së partisë politike ‘Batkivshina’ (Atdheu)”, shtoi ai, ndërkohë që policia mohoi përfshirjen në këtë sulm. Bastisja ndodhi pas shpalljes së Yanukovych në uebsajtin e tij se do të mbështeste thirrjet për bisedime, përfshi opozitarët, për të arritur një kompromis të mundshëm.

Ndërkohë që presioni rritej, me mijëra qëndruan rrugëve të Kievit, disa prej të cilëve u përleshën edhe me trupat mbrojtëse të Ministrisë së Brendshme gjatë mbrëmjes së të hënës, pranë ndërtesës së administratës presidenciale. Përleshje të vogla pati gjithashtu, por demonstruesit ruajtën pozicionet e tyre, edhe pasi forcat e sigurisë nisën të hiqnin barrikadat.

Njëri prej liderëve të opozitës dhe ish-kampion i peshave të rënda në boks, Vitaly Klitschko, iu afrua forcave speciale dhe u bëri thirrje për të qëndruar të qetë e “për të mos shkelur ligjin”, nëse do të urdhëroheshin të largonin protestuesit. “Askush prej nesh nuk ka as armë, as objekte të ndaluara. Kjo është një protestë paqësore”, tha ai.

Edhe zv/presidenti amerikan, Joe Biden, hyri në skenë gjatë së hënës, me një telefonatë të bërë ndaj Yanukovych, në të cilën ai “shprehu shqetësimin e thellë të tij për situatën në Ukrainë dhe për rritjen potenciale të dhunës”, siç bëhet e ditur përmes një deklarate. Biden tha se kishte nxitur Yanukovych të zhvillonte bisedime me opozitën.

Të përballur me temperaturat tepër të ulta dhe me një të ftohtë të hidhur, protestuesit dogjën goma automjetesh për t’u ngrohur dhe konsumuan supëra të nxehta e çaj. Ndërkohë që prania e policisë sa vinte e rritej nëpër rrugë, demonstruesit morën një mesazh mbështetjeje edhe nga aktori George Clooney.

“Ne këtu në SHBA kemi një prirje për të mbështetur cilindo që synon demokracinë”, tha Clooney përmes një videoje të postuar online. “Mësuam përmes gjykimeve dhe gabimeve se demokracia e vërtetë nuk mund të ekzistojë pa zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme”.

Aktori, i cili ka ngritur zërin e tij nëpër fushata të ndryshme gjatë së kaluarës, shtoi: “Më lejoni t’iu diçka, të gjithëve ju që jeni në sheshin e Kievit, apo kudo në Ukrainë: Kur ju shihni nga Perëndimi, dijeni se ne shohim nga ju me një admirim të madh”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA