Dy gazetarë spanjollë të dërguar në Siri me qëllimin e mbulimit të veprimeve luftarake janë rrëmbyer nga një grup i lidhur me Al-Kaedën, raportoi të martën e përditshmja “El Mundo”.
Korrespondenti Javier Esponisa dhe fotografi Ricardi Garcia Vilanova mbahen peng që prej datës 16 Shtator.
Gazeta kishte preferuar të mbante fillimisht të fshehtë lajmin, me kërkesë të vetë familjeve të gazetarëve, të bindur se raportimi publik mund të kompromentonte shanset e tyre për t’u liruar.
Gjatë kësaj kohe, e përditshmja ka mundur të vendosë kontakte indirekte me grupin që mban peng gazetarët.
49-vjeçari Espinosa dhe 42-vjeçari Garcia ishin gazetarë me përvojë në fushën e raportimeve në luftë. Ata kishin realizuar raportime të shumta nga pika të nxehta të frontit gjatë qëndrimit të tyre disa-mujor në Siri.
Ministria e Jashtme Spanjolle konfirmoi se është angazhuar edhe ajo në negociata për të siguruar lirimin e reporterëve.
Një gazetar 46-vjeçar i të përditshmes “El Periodico” mbahet gjithashtu peng në Siri, vend ku gjatë 2013-s janë vrarë të paktën 25 gazetarë dhe rrëmbyer me dhjetëra të tjerë.
Top Channel